Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e Jahjagës
Prishtinë, 11 tetor - Deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë pjesës së parë të punimeve të Kuvendit i kanë kërkuar presidentes Atifete Jahjaga sqarime dhe njëkohësisht dorëheqjen e saj, pas një interviste të këshilltarit të saj politik, Ramush Tahiri, ku ai kishte folur për disa takime që presidentja i mbanë me disa përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës.
Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se ditëve të fundit, këshilltari i presidentes Ramush Tahiri ka zbuluar disa detaje në lidhje me takimet e Jahjagës me përfaqësues të strukturave ilegale.
Të gjithë ne pajtohemi që strukturat e Serbisë në Kosovë janë kriminale, të paligjshme dhe antikushtetuese. Ato duhet të ndiqen penalisht. Në Republikën e Kosovës është i paligjshëm çdo post publik antikushtetues. Tash presidentja i paska takuar këto struktura duke i konsideruar legjitime që i konsideron vetëm pushteti në Beograd, tha Ymeri. Ai ka kërkuar fillimisht të dijë se me kënd është takuar Jahjaga dhe më pas ka kërkuar edhe dorëheqjen e saj.
Është arsye e mjaftueshme që kjo presidente të thirret para përgjegjësisë dhe të japë dorëheqje, theksoi Ymeri.
Vetë zoti Tahiri në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë ka sqaruar se si institucione, mbahen kontakte me njerëz të caktuar, me qytetarë të caktuar, e jo me udhëheqës të strukturave në veri të Kosovës.