VETËVENDOSJE: Institucionet e sigurisë nën shantazhin e dyfishtë
Prishtinë, 24 janar - Lëvizja VETËVENDOSJE!, sot mbajti konferencë për rreziqet në institucionet e autorizuara shtetërore të sigurisë në Kosovë.
Rexhep Selimi, deputet i Kuvendit të Kosovës tha se Ligji për policinë, neni 2 ku saktësohet paanshmëria dhe neutraliteti lidhur me bindjet dhe pikëpamjet politike te personave, është shkelur në momentin kur janë bastisur zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me operacione luftarake më 28 nëntor 2015.
Ky nen është shkelur kur dhuna dhe përndjekja ndaj aktivistëve të opozitës nuk është ndalur as në këto momente që po flasim. Një ndër rastet në të cilat kemi hasur së fundmi ka qenë protesta e 9 janarit ku qytetarët nga Republika e Shqipërisë janë rrahur e nuk janë lejuar nga Policia e Kosovës ta kalojnë kufirin që t`i bashkëngjiten protestës me arsyetimin se janë \"grup i organizuar për protestë\".
Deputeti Selimi po ashtu foli për procesin e verifikimit të sigurisë për pjesëtarët e Policisë nga ana e AKI-së. Asnjëherë nuk është bërë e ditur se kush e ka kaluar dhe kush jo verifikimin e sigurisë në Policinë e Kosovës, a është i verifikuar drejtori i përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni? Si pasojë e kësaj të gjithë ata që nuk e kanë kaluar këtë verifikim dhe mbajnë detyra të rëndësishme në Policinë e Kosovës janë të shantazhuar nga pushteti me detyrimin e zbatimit të urdhrave politik, meqë pa atë verifikim këta pjesëtarë largohen nga puna tha Selimi.
Në anën tjetër, Shemsi Syla, Drejtues i Komitetit për Siguri në VETËVENDOSJE!, shprehu indinjatën në lidhje me instrumentalizimin e skajshëm të policisë përmes drejtuesve të saj. Por shqetësimi më i madh lidhet me integrimin e të ashtuquajturve policë, apo punëtorë të mbrojtjes civile, strukturë kriminale e Serbisë në Kosovë.
Zyrtarë të lartë të Policisë e MPB-së kanë deklaruar publikisht se këta punëtorë janë integruar plotësisht në Policinë e Kosovës. Teksa s\'po kemi saktësi e qartësi në procesin e verifikimit nga Drejtori i Policisë së Kosovës e më tej, këtë muaj na u njoftua se na u integrua Mbrojtja Civile e Serbisë në Policinë e Kosovës.
Kush është autoriteti dhe ku janë të dhënat që na sigurojnë se asnjë prej tyre nuk ka mbi vete vepra kriminale ndaj civilëve në Kosovë. Cili zyrtarë i Kosovës e ka marrë këtë përgjegjësi jashtë prokurorive dhe gjykatave për t\'i amnistuar të shkuarën kriminale MUP-it dhe Mbrojtjes Civile. \"Duhet të pyesim se kush i ka verifikuar këta persona për të cilët të gjithë e dimë se çfarë të kaluare kanë\". tha Shemsi Syla.
Policia e Kosovës dhe Institucionet e autorizuara të sigurisë duhet të jenë zbatuesit më të drejtë të ligjeve të Kosovës. Ato janë vendosur nën shantazh të dyfishtë. Prej eprorëve të shantazhuar nga parapolitika dhe nga pjesëtarët e strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Të dyja këto procese duhet ndalur sa më parë.
Lëvizja VETËVENDOSJE!, bën thirrje që secili polic ta zbatojë ligjin dhe të refuzojë çdo urdhër të paligjshëm nga eprorët e shantazhuar.
Ne nuk kemi konflikt me policinë por përplasje me pushtetin. Policia dhe sistemi i sigurisë nuk duhet të bien bashkë me pushtetin e padrejtë. Policia duhet të mbetet e dinjitetshme.