Vetëvendosje: I zellshmi Ali Rexha sërish në seancë

Prishtinë, 28 prill - Seanca e nëntë e gjyqit të EULEX-it kundër Albin Kurtit u vonua gjysëm ore por zgjati pesë minuta.
Ajo u mbajt vetëm sa për tu shtyer. Ashtu sikur që pritej, sërish mungoi avokati mbrojtës dhe seanca e radhës u caktua të mbahet më 4 maj në orën 09:00. Çdo ditë e mirë po kuptohet se qëllimi i EULEX-it në rastin e Albinit është mbajtja periodike e seancave të rregullta gjyqësore, që janë të reduktueshme në mbajtjen gjallë të fletarrestit.
Duke e mbajtur në persekutim të vazhdueshëm Albin Kurtin dhe shtatë aktivistët tjerë të arrestuar pardje, EULEX-i po synon mbajtjen e VETËVENDOSJE!-s në përndjekje të përhershme dhe izolim të pandalshëm.
Prokurori i rastit të Albinit, Ali Rexha nuk mungoi as në seancën e nëntë, njëjtë siç veproi në çdo seancë. Për këtë konsistencë servile, kryesuesi i Panelit të EULEX-it, de Mongeot, përshëndeti Ali Rexhën në ata pesë minuta seancë. Ai përgjatë këtij procesi që paraqet vetë mishërimin e padrejtësisë, ka qenë shqiptari më i etshëm për ti shërbyer EULEX-it.
Ai deri sot e ka qenë vazhdimisht burokrati i ftohët robotik, që nuk mendon fare për natyrën e rastin dhe procesin gjyqësor të cilit poi shërben.
Njerëz të tillë, që kurrë nuk i bëjnë thirrje ndërgjegjs së vet morale, janë material i përshtatshëm për çdo regjim që ndërrohet. I bëjmë thirrje Ali Rexhës që ti hedh poshtë dy akuzat e mbetura të aktakuzës kundër Albin Kurtit. Rroga vjen e shkon, puna ndërrohet nganjëherë, por fytyra e humbur nuk kthehet më. Gjykatësja e vetme vendëse, Fllanza Kadiu, po ashtu ishte e pranishme. E ftojmë atë që të mungojë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! përshëndet refuzimin e avokatëve të Kosovës që të instrumentalizohen në padrejtësinë e EULEX-it. Inkurajojmë Policinë e Kosovës që ta ndjekë shembullin e avokatëve. Policia e Kosovës nuk duhet ti përfillë urdhrat e EULEX-it, por duhet të veprojë si polici e pavarur e shtetit sovran të Kosovës. Një shtet kurrë nuk bëhet i pavarur, nëse përveç popullit të vetëdijshëm politikisht, nuk ka institucione të sigurisë që ndjehen dhe sillen si institucione sovrane.
EULEX-i po vepron kundër popullit të Kosovës nëpërmjet Policisë së Kosovës. Ky mision ka sjellur në Kosovë mbi 1,400 policë e gjyqtarë, por ne kurrë nuk i shohim ata. Përmes kësaj strategjie, EULEX-i i arrin dy qëllime. Së pari vetveten e mban të fshehur, kurse padrejtësinë e vet e ka efektive. Së dyti, popullin dhe qytetarët i armiqëson me policinë e tyre vendëse. EULEX-i po mbetet i paprekshëm, kurse shqiptarët po pësojnë edhe lëndime, edhe po u mbetet poshtërimi.
Kjo është situatë e përkryer koloniale, ku të huajtë qeverisës, përveç që kanë imunitet prej ligjit, ata po mbeten të mbuluar edhe sa i përket përgjegjësisë së dukshme. Të gjitha punët po i kryejnë nëpërmjet institucioneve vendëse. Policia e Kosovës le ti thotë EULEX-it që vetë ai të konfrontohet me Lëvizjen VETËVENDOSJE.
Qytetarët e Kosovës dhe VETËVENDOSJE!-a janë të gatshëm të përballen me policinë e EULEX-it, qofshin këta edhe rumunë.