Vetëvendosje: Harta me dhuratat e Thaçit për secilën komunë
Prishtinë, 30 dhjetor - Lëvizja Vetëvendosje në një aksion që ka ndërmarrë sot "Dhuratat e Hashim Thaçit për popullin e Kosovës" dhuratat kjo Lëvizje i ka përmbledhur në 13 pika.
Sipas Vetëvendosjes në vendin e parë është vjedhja industriale të votave, e pasuar nga negociatat me Serbinë, pa e njohur kjo e fundit Kosovën si shtet
Kosova sipas kësaj Lëvizje u fut në krizë buxhetore si rezultat i premtimeve zgjedhore, financiarisht të pabazuara, ndërsa privatizimi i PTK-së u fut në mënyrë të jashtëligjshme në Ligjin për Buxhetin e Kosovës.
Zgjedhja e presidentëve u bë në mënyrë kundërkushtetuese, dy herë, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes, për të cilën dhuratë është edhe pritja e përfaqësuesit të delegacionit të Serbisë, Borislav Stefanovic, i cili më vonë u printe strukturave ilegale të Serbisë në veri të Kosovës.
Vazhdoi zhvatja e parasë publike në emër të Rrugës së Kombit duke i paguar Bechtel & Enka-s çmime deri në tri herë më të larta se ato të tregut. U arritën marrëveshje që zhbëjnë aspektet formale të shtetësisë së Kosovës aty ku ato kanë më së shumti rëndësi: pra, në raport me Serbinë, thonë aktivistët e Lëvizjes.
Gjendja në veriun e Kosovës sipas tyre degradoi pas ndërhyrjes aventureske, për poenë politikë të Qeverisë së Kosovës, duke e forcuar Serbinë atje dhe duke e defaktorizuar përfundimisht shtetin tonë me tërheqjen e Policisë e Kosovës.
Për Vetëvendosjen, dështim është largimi i masave të reciprocitetit me Serbinë, sepse gjatë asaj periudhe ekonomia e Kosovës pati ditët më të mira. Ndërsa, duke u bazuar në raportet ndërkombëtare, VV thotë se Kosova renditet në mesin e shteteve më të korruptuara dhe më jodemokratike.
Qeveria e Kosovës, përmes marrëveshjes së katërt me Serbinë për këtë vit, e ndryshoi karakterin e kufirit të Kosovës me Serbinë, nga kufi ndërshtetëror në kufi administrativ, thuhet në kumtesën e Lëvizjes.