21 Janar 2025

Vetëvendosje: EULEX duhet të shkojë

Prishtinë, 11 janar - Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! po kërkohen nga policia dhe po arrestohen për shkak të organizimit të aksionit tonë protestues kundër EULEX, në 25 gusht 2009.

Në atë aksion aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje! i përmbysën 25 automjete të EULEX. Pas ndërhyrjes së policisë, 22 aktivistë u arrestuan, disa prej tyre u lënduan rëndë dhe u rrahën në ambientet policore.

Pas gjashtë vjetësh gjykatat e Kosovës e kanë hapur lëndën kundër aktivistëve për këtë protestë tonën, të cilën koha e ka dëshmuar të drejtë.

Ne thamë atëherë se prania e EULEX në Kosovë është jodemokratike, pasi jo vetëm që zyrtarët e EULEX janë përmbi ligjin vendor, pra nuk i japin përgjegjësi e llogari askujt, por ç’është më e rënda, EULEX nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

EULEX vijon të mbetet një eksperiment, përpjekje e Bashkimit Evropian për të prodhuar një kozmetikë të drejtësisë në Kosovë.

Sot, pas 8 vitesh ekzistencë, EULEX mund të konsiderohet eksperiment tërësisht i dështuar. Zyrtarë të EULEX kanë folur për përfshirjen e vetë EULEX në afera korruptive me oligarkët e kriminelët që kanë pushtetin në Kosovë.

Gjatë gjithë këtyre viteve, Kosova vazhdon të ketë një sistem gjyqësor dhe një drejtësi të diskredituar dhe jofunksionale. Kjo drejtësi e mbikëqyrur dhe e drejtuar nga EULEX, e cila sot dëshiron të dënojë aktivistët për veprimet e tyre politike, kurrë nuk ka guxuar të nisë hetimet mbi dosjet për korrupsionin e kryeministrit Isa Mustafa. Kjo drejtësi kurrë nuk ka guxuar të gjykojë e të dënojë asnjë zyrtar të lartë, apo politikan të rëndësishëm të partive në pushtet.

Aktivistët tanë nuk do t’i përgjigjen thirrjeve të këtij procesi gjyqësor, pasi ky është proces politik. Sot, si në 2009 ne përsërisim të njëjtin mesazh: EULEX duhet të shkojë.

Drejtësia jonë nuk mund të jetë eksperimentale. Ajo duhet çliruar nga kapja e oligarkëve dhe kriminelëve vendorë, siç duhet çliruar edhe nga ndërhyrjet jodemokratike që nuk i japin llogari qytetarit të Kosovës. Drejtësia duhet të jetë demokratike, të funksionojë me një standard, dhe t’i japë llogari qytetarëve të Kosovës. Vetëm ajo drejtësi do të jetë e pranueshme për ne, dhe për këdo.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)