Vetëvendosje: Episodat e EULEX-it
Prishtinë, 4 maj - Gjyqi i EULEX-it kundër Albin Kurtit tashmë ka marrë formën e seancave të rregullta pesëminutëshe, në të cilat po bëhet e ditur shtyrja e saj dhe koha e mbajtjes së seancës së ardhshme. Krej kjo po bëhet me vetëm një qëllim: që të mbahet përherë i gjallë fletarresti i EULEX-it ndaj Albin Kurtit. Në këtë mënyrë EULEX-i vazhdimisht po e mban trysninë mbi Policinë e Kosovës si dhe po e mirëmban varësinë e institucioneve të drejtësisë. Seanca e radhës u shtye për 21 qershor në orën 10:00. Në këtë seancë sërish mungoi avokati mbrojtës, por si gjithmonë i pranishëm prokurori i rastit, Ali Rexha, si dhe anëtarja e trupit gjykues të EULEX-it, Fllanza Kadiu.
Kryesuesi i Panelit gjykues të EULEX-it, Ferdinando Buatier de Mongeot, e hapi seancën e sotme duke iu dëshiruar mirëseardhje të pranishmëve, siç u shpreh ai, në episodin e dhjetë me radhë të rastit Kurti. Kjo tregon se qysh e trajton EULEX-i persekutimin e VETËVENDOSJE!-s dhe të Albin Kurtit: si serial relaksues latinoamerikan. Padrejtësinë që po e shkakton EULEX-i e trajton me këtë lloj joserioziteti arrogant. Atyre nuk iu duket serioze kërkesa e popullit për vetëvendosje, sovranitet, demokraci dhe zhvillim. Atyre nuk iu duket serioze kërkesa e 175,000 qytetarëve shqiptarë për mbylljen e këtij gjykimi dhe izolimi të padrejtë të Albin Kurtit, dhe hapjen e hetimeve të pavarura për vrasjet e 10 shkurtit 2007. EULEX-i nuk çan kokën për ndërhyrjet e dhunshme të policisë mbi popullin, të cilat i përshëndet. Asgjë nuk i duket serioze EULEX-it përderisa vetë vetëm urdhëron, shikon nga rehatia e kolltukut zbatimin e urdhrave të tij nga institucionet e Kosovës, shkakton gjithë këtë padrejtësi ndaj popullit, dhe zgërdhihet prapa imunitetit prej ligjit. Asgjë e re historikisht: mision tipik kolonial.
Në vazhdim de Mongeot përsëriti akuzat e tij ndaj Policisë së Kosovës dhe drejtësisë në vendin tonë, duke e reduktuar funksionimin e kësaj të fundit në efikasitetin e përndjekjes së Albin Kurtit! Pra, për EULEX-in, persekutimi i suksesshëm i Albinit qenka kriteri i vlerësimit të cilësisë së drejtësisë. Ja se në çka e ka katandisur EULEX-i drejtësinë e Kosovës: në instrument të vetin personal për eliminimin e kundërshtarëve të tij politikë. E vërteta është se drejtësia në Kosovë do të jetë e suksesshme pikërisht atëherë kur të jetë e pavarur - pra pa EULEX-in me kompetenca ekzekutive mbi drejtësinë e Kosovës.
Në anën tjetër, de Mongeot kritikoi avokatët e Kosovës për sjellje joetike. Kështu sillet administrator i regjur kolonial: përputhshmërinë e sjelljes së të tjerëve e mat me kutin moral. Kush është si de Mogeot dhe mendon si ai, qenka i mirë dhe i zbaton urdhrat e tij. Kush nuk pajtohet me të dhe nuk ia zbaton urdhrat, qenka i keq. Kjo është veti universale e aparatçikëve kolonialë: për cilësimin e veprimeve nuk iu mjafton diskursi politik, por iu nevojitet doktrina etike. Sepse, vetëm pasi ta eleminojnë ata njeriun moralisht, persekutimi i tij jo vetëm i lejueshëm, por madje i domosdoshëm.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, ministri i jashtëm italian, Franco Frattini, tha se konferenca e ardhshme e Sarajevës do të mund të konsiderohet si nisje zyrtare e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo deklaratë e tij vjen pas po të njëjtave paralajmërime që i bënë më herët ministri i jashtëm francez, Kouchner, dhe zv.sekretari amerikan i shtetit, Steinberg. Sa më shumë po afrohen negociatat me Serbinë, aq më shumë po thellohet persekutimi dhe izolimi i VETËVENDOSJE!-s. Bashkë me popullin ajo do të organizohet kundër negociatave me Serbinë. Kjo tregon se sa politik është gjykimi i EULEX-it ndaj Albin Kurtit.