Vetëvendosje do padi ndaj Serbisë, jo dialog
Prishtinë, 25 mars - Nëse Lëvizja Vetëvendosje do të ngjitej në pushtet, diçka tjetër do të ishte e rezervuar për Serbinë në vend të dialogut që po ndodh sot. Kosova nën drejtimin e subjektit që drejtohet nga Albin Kurti do të ushtronte padi ndaj Serbisë.
Një gjë e tillë parashihet në Alternativën qeverisëse të lëvizjes Vetëvendosje, e cila është miratuar në janar të këtij viti, por që nuk është publikuar ende.
Në Alternativën që ka afro 300 faqe, merr vesh KD, sa i takon raportit me Serbinë, shkruan se lëvizja Vetëvendosje nuk e njeh dhe nuk e pranon shtetin e Serbisë.
Dihet që Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, nuk po e ndryshon kushtetutën e saj ku shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë dhe nuk i ka kërkuar falje Kosovës për krimet ndaj shqiptarëve përgjatë gjithë shekullit XX, shkruan aty.
Marrëveshjet e Qeverisë së Kosovës me Serbinë janë të papërfillshme për neve, përveçse janë të paratifikuara në Kuvendin e Kosovës.
Në Alternativë shkruan se do të përgatitet dokumentacioni me dëshmitë dhe faktet për krimet e Serbisë në Kosovë dhe do të hartohen paditë nga shteti, si dhe nga organizmat e tjerë bashkëpunues me Kosovën për krimet e Serbisë.
Këto padi do të jenë të drejtuara në gjykatat ndërkombëtare, parasheh Vetëvendosje.
Këto, duke pasur parasysh se Serbia: nuk na i ka dorëzuar kriminelët serbë të luftës; nuk na i ka kthyer trupat e rreth 1800 të pagjeturve dhe nuk jep informacione për ta; nuk na i ka paguar dëmet e luftës dhe të okupimit; ua shkel të drejtat shqiptarëve autoktonë në Luginën e Preshevës dhe i shtyp ata; vazhdon t´i financojë strukturat e saj ilegale në Kosovë; nuk na e ka kthyer fondin pensional, depozitat bankare të qytetarëve të Kosovës, librat kadastralë dhe artefaktet kulturore.
Alternativa e Vetëvendosjes ka paraparë edhe bashkimin e Mitrovicës dhe përmirësimin e situatës në veri.
Në veri të ketë një prezencë të shtuar të policisë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme atje. Një bazë e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të jetë e vendosur në Lagjen e Boshnjakëve, në ish-bazën e KFOR-it, përkatësisht ish-remontin ushtarak. Dy baza të tjera të njësisë speciale së bashku edhe me forcat ushtarake të jenë në afërsi të pikave kufitare 1 dhe 31, shkruan aty.
Duhet të ndërpriten përfundimisht dhe zyrtarisht bisedimet me Serbinë, e të cilat, siç e dimë, janë bisedime pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës. Me këto bisedime nuk forcohet pavarësia e Kosovës prej Serbisë, por pavarësia e veriut të Kosovës prej Kosovës.
Alternativa e Vetëvendosjes parasheh se duhet të vihen në shënjestër burimet financiare të strukturave ilegale dhe armiqësore të Serbisë. Duhet gjurmuar dhe duhet prerë financimi i tyre nga Serbia dhe nga krimi i organizuar e bizneset informale, shkruan aty. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa reciprocitet e simetri të të drejtave të serbëve në Kosovë me shqiptarët në Serbi.
Alternativa parasheh që Shqipëria dhe Kosova bashkërisht duhet të angazhohen për shqiptarët kudo që ata janë e posaçërisht për ata në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Arsyeja kryesore pse Serbia e ka synuar decentralizimin në Anamoravë është që ta hedhë farën e ndarjes dhe të izolimit të asaj pjese nga Kosova, shkruan aty.
Sipas Alternativës së Vetëvendosjes, qeveritë dhe kryeministrat e pasluftës janë munduar ti integrojnë serbët duke u dhënë ose premtuar mijëra euro kesh, duke u falur traktorë apo duke ua ruajtur pagat edhe kur ata punonin për Serbinë.
Zgjidhja është krejtësisht ndryshe. Jo para e privilegje, por zhvillim arsimor e ekonomik dhe barazi para ligjit. Jo bisedime me Serbinë e strukturat e saj, por integritet territorial për vendin e sovranitet për shtetin, shkruan aty.
Dokumenti i Vetëvendosjes parasheh që të bëhet rivitalizimi i Trepçës, me çrast funksionalizimi i saj që do të rezultonte me punësimin e rreth 8.000 vetave.
Kjo do të kontribuonte në bashkimin e qytetit, sepse ndarja në Ibër e ka lënë minierën e Stantërgut në njërën anë, ndërsa shkritoren në anën tjetër (Zveçan), shkruan aty.
Kështu, Mitrovica u shndërrua në qytetin më të varfër, dhe është i vetmi qytet në Kosovë të cilit i është zvogëluar popullsia përgjatë viteve.
Alternativa e Vetëvendosjes parasheh ofrimin e bursave për shqiptarët dhe serbët nga veriu për në shkollat e mesme dhe UP. Investim në spitalin e Prishtinës dhe atë në jug të Mitrovicës, në mënyrë që aty të ofrohen shërbime më të mira, shkruan aty.
Forcimi i fshatrave të shqiptarëve dhe lagjeve të Mitrovicës të banuara me shqiptarë në veri, duke ofruar mjete për rindërtimin e shtëpive, infrastrukturë të mirë, transport publik falas për në jug të Mitrovicës dhe anasjelltas tri herë në ditë, lehtësim në punësim, lehtësim për regjistrim në universitet.
Programi i Vetëvendosjes kujton se vetëm më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, 11 shqiptarë janë vrarë, me dhjetëra të tjerë janë keqtrajtuar ose lënduar, ndërsa 1 mijë e 564 familje me 11 mijë e 364 anëtarë janë dëbuar nga veriu i Kosovës.
Secili shqiptar i dëbuar duhet të kërkojë të kthehet në pronën e vet në veri. Dhe njëkohësisht të organizohen dhe mobilizohen për këtë. Ata që nuk duan, duhet ta thonë hapur këtë dhe tua shesin të tjerëve pasurinë, atyre që duan të kthehen atje. Qeveria duhet ta ndihmojë dhe të mbështesë këtë me një program të veçantë, shkruan aty.
Nuk do të lejohet më që Qeveria e Serbisë ti blejë pronat e shqiptarëve në veri; të gjithë shqiptarët që janë detyruar ti shesin pronat e tyre, Qeveria e Kosovës do tua blejë ato.
Lëvizja Vetëvendosje do të anulonte ligjërisht privatizimin, i cili ka ndodhur deri më tash.