Vetëvendosje dhe Srpska e çojnë vendin në zgjedhje
Prishtinë, 4 korrik - Blloqet e krijuara mes PDK-së në njërën anë dhe LDK-së në anën tjetër, duhet të shkrihen ose vendi rrezikon që të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ky mesazh pritet që brenda ditësh t`u kumtohet liderëve të partive kryesore në vend nga përfaqësues të lartë ndërkombëtarë.
Deri te kjo situatë do të vijë pasi që të dyja blloqet, qoftë ai i PDK-së apo blloku LDK-AAK-Nisma, nuk do të mund t`i arrijnë 61 deputetë pa e pasur në koalicion Lëvizjen Vetëvendosje ose Listën Srpska.
Varësia e Qeverisë së ardhshme nga këto dy subjekte parlamentare del të jetë e papranueshme për shkaqe krejtësisht të ndryshme.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend e vlerësojnë pozitivisht evoluimin e Vetëvendosjes por nuk mendojnë se Qeveria e ardhshme duhet të hyjë në aventura sa i përket dialogut me Serbinë.
Lëvizja Vetëvendosje ka evoluuar në qëndrimin e saj, por insistimi që të mos krijohet Asociacioni i Komunave Serbe do të çonte në dështimin e marrëveshjes së Brukselit, gjë që është e papranueshme.
Arsye krejt tjera, kanë bërë që i papranueshëm të jetë edhe koalicioni që do të varej nga nëntë deputetët e listës Srpska.
/Tribuna/