Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për krijimin e koalicionit qeverisës
Prishtinë, 10 tetor - Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pas një takimi të mbajtur të enjten janë pajtuar për fillimin e bisedimeve për krijimin e koalicionit qeverisës pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor në Kosovë.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tha se janë pajtuar që të qeverisin bashkë me LDK-në.
“Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta. Pa humbur kohë ne kemi filluar bisedimet duke nisur me idenë e përbashkët për një qeveri sa më efikase dhe një shtet sa më të fuqishëm, synimi jonë është që t’i dalim zot nevojave të qytetarëve dhe ta orientojmë shtetin nga drejtësia, zhvillimi”, tha Kurti.
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani, tha se te dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë.
“Sapo zhvilluam takimin tonë të parë me LVV-në për të diskutuar mundësitë e bashkë qeverisjes. Sot kemi diskutuar në nivel të parimeve jo të detajeve më e rëndësishmja është se të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë dhe vullnetin e mirë për të punuar në interes të qytetarëve”, tha Osmani.
Ajo ka shtuar se do të presin numërimin edhe të votave me postë, votave me kusht para arritjes së një marrëveshje finale.
Gjatë këtij takimi, Kurti dhe Osmani kanë bërë të ditur se është diskutuar sa i përket reduktimit të numrit të ministrive dhe zëvendësministrave. Po ashtu, ata kanë bërë të ditur se do të krijohen grupet punuese të të dyjave partive për të diskutuar detajet dhe për të harmonizuar programet.
Në takim ishte i pranishëm edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se do të punojnë për përafrimin e objektivave qeverisëse.
"Në ditët në vijim do të punojmë në përafrimin e objektivave qeverisëse, ndërkaq pasi të përfundojë krejtësisht procesi i numërimit të të gjitha votave dhe të dihet subjekti i parë, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për mënyrën e participimit në Qeveri. Vendimin përfundimtar për bashkëqeverisje do ta marrin organet përgjegjëse të LDK-së", tha Mustafa.