Vetëvendosje dhe KMLDNJ nuk e duan kolonelin rumun në Kosovë
Prishtinë, 26 prill - Lëvizja Vetëvendosje dhe KMLDNJ kanë kundërshtuar emërim e kolonelit rumun Marian Petre në krye të njësitit special të policisë së EULEX-it.
Ata e kanë cilësuar ofendim për Kosovarët pasi 4 vjet më parë policët rumunë vranë në një protestë paqësore Mon Balajn e Arben Xheladinin.
Po të mendonte për rol konstruktiv EULEX duhet të emëronte në këtë pozicion dikë tjetër sepse ka mjaft të tjerë , ka thënë Behgjet Shala, drejtor ekzekutiv në KMLDNJ.
Por më ashpër se Shala këtë emërim e kundërshton Vetëvendosje.
Opinioni i Kosovës, e ka shumë të freskët 10 shkurtin e vitit 2007, kur njësia policore rumune në kuadër të UNMIK-ut, vrau 2 dhe plagosi 80 protestues paqësor dhe në vend që të merren në përgjegjësi, ata u dekoruan nga qeveria rumune, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.