29 Dhjetor 2024

Vetëvendosje akuzon Thaçin dhe Kermabon për arrestimet

Prishtinë, 13 qershor - Aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë akuzuar kryeministrin Hashim Thaçi, shefin e EULEX-it, Yves De Kermabon dhe shefin e ICO-së, Pieter Feith, se janë përgjegjësit kryesorë për situatën e krijuar midis policisë dhe aktivistëve të kësaj lëvizjeje.

Ata u shprehën se në vend që qeveria të luftojë krimin dhe korrupsionit, ata luftojnë organizatat qytetare.

“Qeveritarët janë ndier të rrezikuar se kjo lëvizje do të konkurrojë në zgjedhjet e ardhshme dhe se ka zgjeruar horizontet e saj duke u mbështetur nga një numër i madh i qytetarëve”, u shpreh Glauk Konjufca nga Vetëvendosje. Ata kanë paralajmëruar protestë më 21 qershor, ditën kur pritet të gjykohet Albin Kurti.

\"Lëvizja Vetëvendosje! e mban përgjegjës kreun e Qeverisë, Hashim Thaçin, udhëheqësin e EULEX-it, Yves de Kermabonin, dhe Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith. EULEX-i dhe Pieter Feithi gjithnjë kanë pasur interes të veçantë për ta mënjanuar nga skena politike Lëvizjen Vetëvendosje! dhe Albin Kurtin. Por tash që Lëvizja jonë e kumtoi rezultatin e debatit lidhur me pjesëmarrjen tonë edhe në zgjedhje, interesi i krerëve politikë të Kosovës për persekutimin e Albin Kurtit është bërë edhe më i drejtpërdrejtë dhe më i dhunshëm, ashtu sikurse që u pa gjatë ndërhyrjes çnjerëzore të policisë dje\", ka thënë Konjufca.

Konjufca ka theksuar se në vend se policia të punojë për imponimin e vullnetit të popullit për sovranitet e integritet territorial, ajo është bërë vegël e grupeve kriminale të pushtetit si dhe misioneve të huaja antikombëtare.

Kjo polici sipas tij nuk ka guxim të ndërhyjë aty ku çdo polici normale do të intervenonte, sikur që do të duhej të intervenonte kundër strukturave paralele, kundër kriminelëve të luftës, kundër krimit të organizuar dhe kundër shefave të korrupsionit, guximin e vetëm e ka që t’i rrah aktivistët e Vetëvendosje!-s me duar të lidhura nëpër veturat dhe stacione policore.

\"Intervenimi i djeshëm i policisë së dirigjuar nga EULEX-i ishte identik me atë të SHPK-së të dirigjuar nga UNMIK-u më 10 shkurt, kur e arrestuan Albinit pas demonstratës. Asgjë e çuditshme këtu: EULEX-i është UNMIK-u i ri i cili po e përndjek Albinin për të njëjtin rast sikur UNMIK-u dhe njëjtë sikur ai; strukturat udhëheqëse të policisë dhe njësitet speciale të saj janë po ato të SHPK-së; gjykatësit dhe prokurorët janë po ata; politikanët e Kosovës janë po ata të Grupit Negociator, të cilët i mbrojtën policët rumunë duke e fajësuar Vetëvendosje!-n. Në këtë këndvështrim gjërat nuk kanë ndryshuar fare në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë\", ka deklaruar ai.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)