Vetëvendosja akuzon Thaçin për votim të strategjisë për PTK-në
Prishtinë, 15 tetor - Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se kryeministri Hashim Thaçi ndikoi në miratimin e strategjisë për PTK-në jashtë rregullave ligjore.
Në kundërshtim me të gjitha parimet morale dhe politike, madje në kundërshtim edhe me rregullat e caktuara nga ky pushtet, i vetëm e anuloi Kuvendin e Kosovës dhe tentoi ta imponojë një vendim, i cili i shkon për shtati vetëm atij dhe një grupi të ngushtë njerëzish që i sillen vërdallë. Meqenëse është vendim i një pakice njerëzish, shumica prej të cilëve nuk janë as qytetarë të Kosovës madje, ky vendim është në kundërshtim të plotë me interesat e popullit të Kosovës e rrjedhimisht edhe me vet vullnetin e tij, vlerësoi vetëvendosja në një konferencë për media.
Ndërkaq Ismail Kurteshi ish deputet i PDK-së, tash anëtarë i Vetëvendosjes shpjegoi se si dje në Kuvend vet Hashim Thaçi kishte krijuar atmosferë të tensionuar, duke mos lënë të diskutohet për rendin e ditës. Publikisht ka deklaruar se nuk do të ketë shtyrje, ka ndërhyrë në procedura të punës, si dhe i ka kërcënuar deputetët me hetime ndaj tyre për korrupsion. Kjo mënyrë e imponimit të vendimit nuk është në përputhje as me Rregulloren e Kuvendit, saktësisht me nenin 51 të kësaj rregulloreje, ku përcaktohet kuorumi i duhur në Kuvend për të marrë vendime, tha ai.