Vetëm AKR-ja di ta zhvillojë ekonominë
Prishtinë, 21 mars - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka deklaruar se shpallja e Mitrovicës Zonë e Lirë Ekonomike ka qenë kërkesë e tij dhe e AKR-së që nga viti 2007.
Ai ka deklaruar se nga krijimi i kësaj Zonë të Lirë Ekonomike do të përfitojnë jo vetëm mitrovicasit, por edhe qytetarët përreth pasi, sipas tij, kjo zonë do të tërheqë investime të huaja.
Ai në këtë intervistë për Epokën e re ka deklaruar se shpallja e Mitrovicës dhe Gjakovës, Zona të Lira Ekonomike, është meritë e AKR-së pasi, sipas tij, kjo parti e di çfarë është biznesi, di çfarë duhet të bëjë për tregun evropian dhe ka program të zhvillimit ekonomik.
Zhvillimi ekonomik bëhet prej njerëzve që dinë të bëjnë zhvillim. Unë e di se çfarë është tregu evropian, sepse kam qenë biznesmen për 25 vjet dhe e di se çfarë kërkon biznesi, kështu që unë dua të jem atraktiv për çdo biznesmen i cili dëshiron të jetë atraktiv në Bashkimin Evropian, ka deklaruar Bahtiri.
Ai ka bërë me dije se do të thërrasë një konferencë ndërkombëtare për tërheqjen e investimeve të huaja në Mitrovicë dhe, sipas tij, Zona e Lirë Ekonomike në Mitrovicë do të ofrojë lehtësira për të bërë biznes. Ai ka thënë se pret një mbështetje të fuqishme nga vendet e Azisë, pasi largësia e tyre me Evropën ua pamundëson lansimin e produkteve në tregun evropian.