Veseli, SHIK-u nuk ka kryer krime
Prishtinë, 21 shkurt - Ish-shefi i SHIK-ut ka mohuar të gjitha akuzat se organizata që ai ka udhëhequr ka kryer krime, përfshirë vrasje, pasluftës në Kosovë. Jo jo edhe jo. Veprimet kriminale, marrja e jetës së njeriut, është pjesë më e errët që i ka ndodhur historisë e lirisë sonë. Dikush duhet të marrë përgjegjësi. Mu ka mbushur mendja që edhe ata që në mënyrë hipotetike qëndrojnë prapa këtyre gjërave, po mendojnë që SHIK-u do të paguaj faturat e tyre. Për asnjë nga këto krime nuk ka përgjegjësi SHIK-u, as direkt e as indirekt. Përgjegjësi duhet të marrë individualisht kushdo që ka kryer krime të tilla, ka thënë Kadri Veseli, duke shtuar se pjesa më krenare e jetës së tij ka qenë udhëheqja e SHIK-ut.
Në vazhdimin e rrëfimit në KTV, Veseli kryesisht ka folur për veprimtarinë e Shërbimit Inteligjent të Kosovës. Ai ka treguar se si në vitin 2001-2002 është tentuar që të legjitimohen veprimet e SHIK-ut, duke krijuar një zyrë brenda institucioneve të Kosovës, gjë për të cilën kishte pajtim nga Presidenti i atëhershëm Ibrahim Rugova, kryeministri Bajram Rexhepi e kryeparlamentari Nexhat Daci. Por, kjo gjë ishte ndaluar nga New York-u pasi nuk e lejonte Rezoluta 1244.
Sipas tij, SHIK-u nuk ka krijuar dosje, por ka pasur vetëm informacione që janë përdorur atë kohë për nevojat e shërbimit, por që kanë qenë gojarisht të raportuara .
Matrapaz që tentojnë të përfitojnë për vete, i ka quajtur personat si Nazim Bllaca e Naim Myftari, të vetdeklaruar si agjentë të SHIK-ut. Veseli gjithashtu ka mohuar që SHIK-u ti ketë takuar PDK-së, duke thënë se kjo organizatë ka punuar për të mirën e shtetit.
Ai më tej ka thënë se do ti hyj politikës ndërsa PDK ka nevojë për reforma. Ai është i gatshëm ti bashkohet kësaj partie nëse do ti krijohet hapësira për të vepruar.Shpejt do të bëjë publike edhe partinë ku do të kyçem në politikë, ka paralajmëruar ish-shefi i Shërbimit Inteligjent të Kosovës.