Veseli priti në takim një delegacion nga komuniteti rom
Prishtinë, 7 prill - Në vigjilje të 8 prillit, Ditës së romëve në Kosovë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim një delegacion nga komuniteti rom, të udhëhequr nga deputeti Kujtim Paçaku.
Kryeparlamentari Veseli uroi mysafirët me rastin e kësaj dite, duke ofruar mbështetje të plotë për komunitetin rom, si dhe të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës.
Paçaku, nga ana e tij, falënderoi kryetarin Veseli për pritjen e ngrohtë dhe rolin e tij konstruktiv e dashamirës ndaj të gjitha komuniteteve në Kosovë, si dhe përfaqësuesve të tyre në institucionet shtetërore, veçanërisht në Kuvend.