Veseli përgëzoi presidenten Jahjaga për iniciativën e takimit
Prishtinë, 8 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nëpërmjet një deklarate për medie ka deklaruar se takimi i liderëve partiak i mbajtur me iniciativën e presidentes, Atifete Jahjaga, është një hap pozitiv në drejtim të shtensionimit të situatës politike.
E përgëzoj presidenten Jahjaga për këtë iniciativë të saj dhe njëkohësisht e inkurajoj që të vazhdojë edhe më tutje, që në këtë mënyrë, ta ndihmojë dialogun e domosdoshëm në mes të pozitës dhe opozitës, në funksion të tejkalimit të situatës së krijuar, ka thënë kryeparlamentari Veseli. Ai ka theksuar se dialogu institucional është rruga e vetme e ecjes përpara të vendit tonë. Qytetarët e Republikës së Kosovës e presin këtë nga të zgjedhurit e tyre, ka thënë Veseli.