Veseli për deportimin e turqve mban përgjegjës presidentin dhe kryeministrin
Prishtinë, 30 mars - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka folur sot para deputetëve të Kuvendit lidhur me rastin e djeshëm, të arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq.
Veseli tha se nuk ka qenë aspak i informuar për rastin. “Nuk kam pasur bash asnjë informatë”, tha Veseli.
Ai tha se është njoftuar nga familjarëve e të arrestuarve, pasi janë mësimdhënës dhe në ato shkolla tha se janë shkolluar shumica e fëmijëve të bartësve të institucioneve, përfshirë edhe fëmijët e tij.
“Fatkeqësia ka qenë që kanë lajmëruar vonë familjarët”, tha Veseli, duke shtuar se kur e ka kuptuar çështja thuajse kishte përfunduar.
Sipas Veselit, edhe nëse të arrestuarit do të ishin terrorist është dashur të shkohet në bazë të procedurave dhe me dinjitet.
“…Çka bëmë tash, i dorëzuam njerëzit… si me i kidnapu…”, tha Veseli.
Kryetari i Kuvendit tha se shkarkimi i ministrit të Brendshëm dhe i drejtorit të AKI-së është e drejtë, por sipas tij kjo nuk është pjesa e fundit e përgjegjësisë.
Ai tha se përgjegjës për këtë janë edhe presidenti dhe kryeministri.
Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se rasti i arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq nuk do t’i ndihmojë partneritetit me shtetin e Turqisë.
“Ky veprim na e ka ulë kokën shumë”, tha Veseli.