Veseli: Kryengritja Polluzhës përcaktoi vetëdijen politike
Prishtinë, 21 shkurt - Kryetari i kuvendit të Kosovës Kadri Veseli përmes rrjetit social Facebok, ka kujtuar me perulje Heroin e Kosovës Shaban Polluzha.
Veseli tha se kryengritja e Shaban Polluzhës përcaktoi vetëdijen politike të gjeneratave të Kosovës, deri në krijimin e UÇK-së.
Sot, në 71 vjetorin e rënies, kujtojmë me përulje, plakun e odave të Drenicës, komandantin me plis të bardhë, Heroin e Kosovës, Shaban Polluzha.
Në dimrin tragjik të vitit 1945, ky burrë i madh i Kosovës, u priu mijëra luftëtarëve në kryengritjen kundër terrorit komunist jugosllav, i cili po përgjakte pasivisht fshatrat dhe qytetet e Kosovës.
Kjo kryengritje tregoi fytyrën e vërtetë të regjimit titist, prandaj për 45 vite ky regjim u përpoq të njollosë dhe zhdukë kujtesën për te, por nuk ia doli. Kryengritja e Shaban Polluzhës përcaktoi vetëdijen politike të gjeneratave të Kosovës, deri në krijimin e UÇK-së, ka shkruar Veseli. \"Nderim të përjetshëm Shaban Polluzhës dhe luftëtarëve të tij!\", ka theksuar ai.