02 Shkurt 2025

Veseli: Kosova ishte, është dhe duhet të jetë pjesë e Evropës

Prishtinë, 18 shtator - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka takuar sot kryesuesin e delegacionit të senatorëve italianë në Komisionin për Politika të BE-së, z. Vannino Chiti dhe më këtë rast diskutoi për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm Kosovë-Itali, me theks në procesin e integrimit të Kosovës në BE dhe bashkëpunimin ekonomik.

Kryetari Veseli falënderoi senatorin Chiti, nëpërmjet tij edhe senatin e Republikës së Italisë që u gjend vazhdimisht pranë Kosovës dhe popullit të saj. Në takim u vu në spikamë nevoja e përmirësimit të informacionit në Bashkimin Evropian për Kosovën. Ndërsa për sa i takon investimeve, Kryekuvendari tha se prania e Italisë në fushën e ekonomisë duhet të jetë më e dukshme, jo vetëm me banka, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme por edhe në binjakëzimin e qyteteve.

Kryetari Veseli tha se përvoja nga Senati italian në eurointegrime është e mirëseardhur.

“Kosova me vlerat e saj, ishte, është dhe duhet të jetë pjesë e Evropës. Ne kemi nevojë për integrim dhe prania jonë në Bashkimin Evropian do të jetë vlerë e shtuar për demokracinë e madhe evropiane. Është e padrejtë që rinia jonë të ketë kufizime, kur dihet rëndësia e lëvizjes së lirë”, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Senatori Chiti tha se në Senatin italian Kosova gëzon përkrahje nga çdo përbërje e tij. Ndërsa takimet e deritashme Senat-Kuvend i Kosovës, dëshmojnë se Italia e do Kosovën në BE.

“Senati italian dhe shteti ynë është në anën Tuaj në procesin e integrimeve, ajo është aleati juaj besnik në këtë rrugë, duke mos ndalur që bashkëpunimi të forcohet në të gjitha lëmenjtë. Italia e do Kosovën në BE”, theksoi senatori Chiti.

Kryetari Veseli e informoi senatorin Chiti se së shpejti formalisht do të konfirmohen krijimi i grupeve të miqësisë brenda Kuvendit të Kosovës dhe pritet intensifikim i bashkëpunimit. Në takim u vu në dukje mungesa e pakove të qarta të informacionit për mundësitë e ekonomisë së Kosovës. Kjo mund të ishte shumë e dobishme për dy vendet në fushën e investimeve për ndërmarrjet prodhuese të vogla dhe të mesme, sektorin e financave dhe në bujqësi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)