Veseli kërkon Komision hetimor për listat e veteranëve
Prishtinë, 9 qershor - Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka dalë sot me një nismë të re, të cilës tha se do t’i shkohet deri në fund, për ta pastruar emrin e vërtetë të UÇK-së nga personat mashtrues.
Ai tha se javën e ardhshme PDK do të inicioj Komision hetimor parlamentar i cili do të hetojë e pastroj listat e veteranëve të UÇK-së, në mënyrë që ndalet fryrja e listave nga komandantë e veteranë mashtrues.
“Andaj, Komisioni Hetimor Parlamentar, me punën e tij, duhet të sigurojë që listat e veteranëve të jenë të pastruara nga mashtruesit, në mënyrë që luftëtarët e UÇK-së që kanë nevojë të përkrahen edhe më shumë dhe më denjësisht nga shteti i tyre, për të cilin ata luftuan dhe ishin të gatshëm të vetësakrifikoheshin."
"Raporti final i këtij Komisioni do të bëhet publik, i bazuar në ligj, do të jetë në dispozicion të publikut dhe institucioneve të drejtësisë - për t’i ndjekur penalisht mashtruesit”, tha Veseli në një konferencë për media në PDK.
Krahas Komisionit hetimor, ai tha se do të iniciojë edhe ndryshimet e duhura në Ligjin aktual për Veteranët e Luftës së UÇK-së, me praktikat më të mira të integrimit të tyre në kontributin e angazhimit zhvillimor.