20 Janar 2025

Veseli: E kemi obligim ta bëjmë rininë tonë

Prishtinë, 4 mars - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e lansimit të Paktit Evropian për Rininë në Kosovë, një angazhim ky i përbashkët i biznesit dhe liderëve të Bashkimit Evropian, i cili bashkon përfaqësuesit e biznesit, arsimit, rinisë dhe institucioneve evropiane.

Në fjalën e tij të rastit, kryeparlamentari Veseli tha se qëllimi i institucioneve në Kosovë është që të bashkërendojnë të gjitha politikat dhe veprimet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Përkundër sukseseve në këtë periudhë tranzicioni, shtoi kryetari Veseli, nuk patëm shpërthim të zhvillimit ekonomik duke vënë theksin te shpirti i ndërmarrësisë dhe inovacionit.

“Një gjë është e qartë, vetëm sektori privat gjeneron rritje të qëndrueshme ekonomike. Vetëm shpirti i ndërmarrësisë dhe inovacionit sjellin shpresa zhvillimi. Në kontekstin tonë, shpirti inovativ dhe ndërmarrësia e vogël janë dhe duhet të jenë vendi ku krijohen pjesa dërmuese e vendeve të punës. Nuk mund të kemi shoqëri të zhvilluar dhe stabile, nëse nuk kemi një ekonomi private të qëndrueshme dhe të fortë. Në histori mund të ketë zhvillim ekonomik pa demokraci, por nuk ka demokraci pa zhvillim ekonomik. Prandaj, nuk ka zgjidhje tjetër përveç ekonomisë së bazuar në sektorin privat, i cili përveç rritjes ekonomike, në të njëjtën kohë dëshmon edhe përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe vendit ku jetojmë”, theksoi kryetari i Kuvendit.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari Veseli theksoi se përgjegjësia korporative është një model i zhvillimit të qëndrueshëm, në kuadër të të cilit Pakti për Rininë, i cili do të nënshkruhet nga korporatat më të mëdha në Kosovë, është iniciativa të cilën shoqëria kosovare duhet ta kthejë në prioritet.

Rinia, shtoi kryetari Veseli, mund të shfrytëzohet si mjet për destabilizim, apo mund të shndërrohet në burim të zhvillimit.

“Ne e kemi obligim ta bëjmë rininë tonë burim shtytës të zhvillimit. Unë zotohem se do t’ju mbështes dhe do të jem gjithmonë përkrah jush, për cilëndo iniciativë që ju mendoni se duhet ndërmarrë në këtë drejtim. Kuvendi i Republikës së Kosovës është i gatshëm që të ofrojë të gjithë bazën ligjore, e cila stimulon investimet dhe iniciativat zhvillimore. Në këtë drejtim, iniciativa e parë që mund të ndërmarrim në drejtim të Paktit për Rininë, është të rregullojmë së bashku çështjen e praktikës”, tha kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se duke investuar në rininë, garantohet e ardhme e sigurt e vendit tonë.

“Duke investuar në rininë, ne aftësojmë popullatën tonë të re që të bëhet pjesë e trendeve të globalizimit, tregut ndërkombëtar të punës dhe kjo sjell zhvillim të sigurt. Duke investuar në rininë, ne e bëjmë shumë më të shkurtër rrugën tonë të integrimit evropian, qëllimin tonë më të madh pas çlirimit dhe pavarësisë”, tha kryetari Veseli.

Ndërkaq kryetari i Bordit të Rrjetit CSR Kosova mirëpriti të gjithë të pranishmit, tregoi për Rrjetin CSR si një nismë e bizneseve që janë zotuar të kontribojnë në mënyra të ndryshme për shoqërinë, dhe në mes tjerash sqaroi se anëtarët e këtij Rrjeti vullnetarisht, dhe pa asnjë detyrim ligjor, kanë kontribuar miliona euro deri tani nëpër aktivitete dhe projekte të ndryshme në dobi të shoqërisë, mjedisit dhe fudhave tjera të Përgjegjësisë Shoqërore Korporative.

Kurse Jacques Spelkens nga CSR Europe, tregoi se edhe vendet anëtare të BE-së kanë probleme të ngjashme me Kosovën në raport me papunësinë e të rinjve dhe nevojat për ko-elaborim mes sektorit publik dhe atij privat. Ai foli për rëndësinë e veçantë që Pakti ka për Kosovën për shkak të demografisë që në shumicë përbëhet nga rinia, dhe poashtu mirëpriti faktin që Kosova menjëherë është bashkuar me vendet anëtare të BE-së në këtë zotim kaq të rëndësishëm.

Poashtu Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tregoi për rëndësinë që sektori privat të involvohet në hartim të kurrikulave, dhe që sektori i arsimit të harmonizohet me nevojat e tregut të punës.

Ministri Bajrami si bashkë-kryesues i këtij Pakti në Kosovë shprehi mbështetjen e tij të plotë për çdo iniciativë konkrete që buron nga ky Pakt dhe mirëpriti partneritetin e ngushtë me CSR Kosova, sektorin privat dhe shoqërinë civile.

Pas përfundimit të fjalimeve, Pakti Evropian për Rininë formalisht u nënshkrua nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Kryetari, Drejtori dhe Anëtarët e Bordit të CSR Kosova, dhe poashtu nga kompanitë anëtare të Rrjetit, kompanitë mbështetëse jo-anëtare, përfaqësuesit e institucioneve, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)