23 Janar 2025

Veseli e Hahn pajtohen për thellimin e bashkëpunimit

Prishtinë, 18 shkurt - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka takuar sot, Johanes Hahn, Komisionar i Bashkimit Evropian për politikat e fqinjësisë dhe negociatat e zgjerimit. Në takim u bisedua për çështjet aktuale në vend dhe rajon, agjendën legjislative të Kuvendit, dialogun Kosovë-Serbi si dhe sfidat e procesit të integrimeve.

Kryetari Veseli theksoi se institucioni të cilit ai i prin është i përkushtuar për sundimin e ligjit dhe shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit dhe zhvillimin e gjithanshëm që do të reflektonte mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Arsimi përbën hallkën më të rëndësishme të zhvillimit së bashku me investimet në ekonominë prodhuese që do ta bënin shtetin tonë eksportues të vlerave dhe të mirave materiale, që Kosova të mos mbetet vetëm shtet konsumues dhe importues.\"

\"Vendi ynë është i pasur me resurse të lëndës së parë dhe rinia jonë është resurs po ashtu i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, andaj mbështetja për vendin tonë në këtë proces dhe në këto rrethana është e mirëseardhur”, theksoi kryetari Veseli.

Në takim u theksua po ashtu rëndësia e dialogut Kosovë-Serbi dhe thellimit të fqinjësisë së mirë, sepse Ballkani duhet të tejkalojë vështirësitë me mirëkuptim dhe dialog, po ashtu edhe me zhvillim të gjithanshëm ekonomik si proces i vazhdueshëm në rrugën e integrimeve evropiane.

“Promovimi i stabilitetit në Evropë duke ndihmuar dhe zhvilluar institucione të qëndrueshme demokratike, të afta të përballen me sfidat e zhvillimit ekonomik dhe sjellin begati për qytetarët, është një nga synimet e politikës evropiane të fqinjësisë”, theksoi Komisionari i BE-së, Johanes Hahn.

Bashkëbiseduesit u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve të Bashkimit Evropian, nëpërmjet marrjes së përvojave me vizita të ndërsjella me qëllim të avancimit të reformave demokratike, për një administratë efikase në shërbim të qytetarëve.

Forcimi i shtetit ligjor duke e luftuar korrupsionin, me qëndrueshmëri të tregut të lirë dhe konkurrencës, do të shërbejnë në përshpejtimin e procesit të integrimeve, si dhe ndërtimin e urave me vendet fqinje.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)