Veseli: Do të thellohet bashkëpunimi me NDI
Prishtinë, 10 dhjetor - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur të mërkurën në takim një delegacion të NDI-së, të prirë nga Alexander Chavarria, drejtor i Zyrës së NDI-së në Kosovë.
Me këtë rast, kryeparlamentari Veseli ka pranuar urimet nga drejtuesit e kësaj organizate, me rastin e zgjedhjes së tij kryetar i Kuvendit. Gjatë takimit, kryeparlamentari Veseli i ka falënderuar drejtuesit e NDI-së për punën e përkushtuar në mbështetje të Kuvendit të Kosovës, me theks të veçantë, në hartimin dhe zbatimin e ligjeve në vendin tonë.
Veseli ka thënë se takimet me NDI-në do të intensifikohen ditëve në vijim, me qëllim të thellimit dhe zgjerimit të fushave të bashkëpunimit, duke i begatuar ato me përmbajtje dhe intensitet të ri në funksion të Kuvendit, deputetëve dhe qytetarëve tanë, është thënë në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq Chavarria, ka theksuar se NDI-ja është partner i përkushtuar i Kuvendit të Kosovës për 14 vite me radhë, ndërsa ka konfirmuar gatishmërinë për ta vazhduar këtë mbështetje edhe në të ardhmen.