20 Janar 2025

Veseli: Adem Demaçi ndërgjegjja jonë kombëtare

Prishtinë, 26 shkurt - Sot, në shënim të 80-vjetorit të lindjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, nën patronatin e Kuvendit të Kosovës dhe të Shoqatës së të Burgosurve Politikës, është mbajtur Akademi solemne.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i bëri një përshkrim figurës së Adem Demaçit, duke e konsideruar atë njeri të veçantë, të jashtëzakonshëm dhe të papërsëritshëm.

Kryetari Veseli tha se të rralla janë rastet që jetëshkrimi i një personaliteti është njëkohësisht jetëshkrimi i një epoke. Në të tilla raste, shtoi ai, epoka merr emrin e atij personaliteti. E tillë është epoka në të cilën jetoi dhe veproi Adem Demaçi. Ajo është Epoka e Adem Demaçit.

Kreu i Kuvendit tha se Demaçi mbahej burgjeve sepse kërkonte dhe vepronte për lirinë e popullit të tij, për të drejtat e tij kombëtare, për barazinë politike dhe ekonomike me popujt tjerë, kërkonte të drejtën e popullit për të përcaktuar vetë për fatin e tij.

Edhe pse e mbanin burgjeve Adem Demaçin, në burgun më famëkeq në Goli Otok, tha në vazhdim kryetari Veseli, atë nuk e thyenin dot, nuk përulnin, nuk e frikësonin dot e as nuk e blinin dot, sepse e drejta e një populli për të qenë i lirë, nuk mund të zëvendësohet me asnjë të drejtë tjetër dhe Adem Demaçi besonte, jetonte e vepronte për këtë ideal.

Veseli shtoi se në rrugëtimin e gjatë të Kosovës për liri, Adem Demaçi ishte bërë ndërgjegjja kombëtare.

“I tillë është edhe sot e do të mbes përgjithmonë. Adem Demaçi, ashtu si Nënë Tereza, janë lidhja e shpirtit të populli tonë me vlerat universale të njerëzimit, lirinë e mendimit, paqen, solidaritetin dhe dashurinë mes njerëzve”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Z. Veseli bëri të ditur se një park në qytetin e Mitrovicës e ka marrë emrin e Adem Demaçit, ndërsa së shpejti në hyrje të Prishtinës do të vendoset edhe shtatorja e tij.

“Baca Adem, ne jemi brez i privilegjuar që jetuam epokën tënde. Kosova është krenare që të ka Ty - simbol unik të luftës për liri. Urime ditëlindja! Të paçim Baca Adem!”, tha në përfundim të fjalës së tij, kryeparlamentari Veseli. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)