Vesel Neziri zgjidhet kryetar i PD-së në Mitrovicë
Prishtinë, 8 prill - Partia e Drejtësisë, dega në Mitrovicë, ka mbajtur të martën Kuvendin e rregullt Zgjedhor, në të cilin kryetar u zgjodh Vesel Neziri. Në këtë Kuvend Zgjedhor ishin të pranishëm 76 delegatë të cilët zgjodhen edhe kryesinë e re të kësaj dege.
Kryetari i PD-së, Ferid Agni, që njëherësh është edhe ministër i Shëndetësisë, ka përgëzuar Nezirin për postin e ri, duke u zotuar para delegatëve se kjo parti do të angazhohet për një jetë më të mirë të qytetarëve të Mitrovicës dhe të fshatrave për rreth.
Agani potencoi se PD-ja në këtë periudhë i ka shtuar aktivitetet e saja dhe se në zgjedhjet parlamentare që priten të mbahen këtë vit do të hyjë më e fuqishme se kurrë dhe do të korrë suksese të reja.
Edhe kryetari i porsazgjedhur i degës së Mitrovicës, Vesel Neziri, ka falenderuar delegatët për besimin e dhënë, duke thënë se do të angazhohet maksimalisht për të përmbushur obligimet për të cilat ka marrë besimin.
Ndryshe, Neziri në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar është zgjedhur asambleistë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës.