Vesa Broja zgjidhet kryesuese e kuvendit komunal në Mitrovicë
Mitrovicë, 9 dhjetor - Nën drejtimin e anëtarit më të moshuar të Kuvendit të Komunës, Fadil Veseli, dhe në prani të kryetarit të komunës, Bedri Hamza, nënkryetarit, Arian Tahiri, është mbajtur mbledhja e rregullt e kuvendit, për zgjedhjen e kryesuesit të KK-së.
Anëtari më i moshuar i kuvendit, Fadil Veseli, ka propozuar edhe rendin e ditës për këtë seancë, ku pas formimit të komisionit prej tre anëtarësh për zgjedhje të kryesuesit, me vota të fshehta, kryesuese u zgjodh Vesa Broja, nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila fitoi 21 vota nga të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës sa ishin të pranishëm në këtë seancë.
Pas kësaj me një fjalë rasti të pranishmëve u është drejtuar kryesuesja e kuvendit, Vesa Broja, e cila ka thënë se do të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë anëtaret e këtij kuvendi, dhe është e përkushtuar për të punuar për çështje që kanë të bëjnë për qytetarët dhe të mirën e komunës.
Ndërsa pika e dytë e rendit të ditës e paraparë për këtë seancë; Propozim-vendimi për formimin e Komitetit për Politikë dhe Financa është shtyrë për mbledhjen e radhës të kuvendit.