Veriu, seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Mitrovicës

Mitrovicë, 28 maj - Sot duke nisur nga ora 10:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës, ku do të shqyrtohet gjendja e krijuar në veri pas paralajmërimit për mbajtjen e zgjedhjeve me 30 maj nga shteti fqinj Serbia, në këtë pjesë të Kosovës.
Për këtë është vendosur në seancën e së enjtes, ku këshilltarët komunalë në mënyrë unanime kanë vendosur që seancën e rregullt të shtyjnë për të hënën për shkak të situatës së krijuar, ndërsa të premten të mbahet seancë e jashtëzakonshme ku janë ftuar për të marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Sadri Ferati dhe koordinatori për implementimin e strategjisë për integrimin e veriut, Ylber Hysa.
Edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës në mbledhjen e djeshme i ka kërkuar Qeverise se Republikës së Kosovës që në koordinim me faktorët relevantë ndërkombëtarë, të ndalojë aktivitetet të cilat zhvillohet në territorin e Republikës së Kosovës jashtë sistemit politik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, duke përfshirë:
Marrjen e masave për ndalimin e organizimit të zgjedhjeve lokale dhe ushtrimit të veprimtarive të Qeverisë së Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë, ndalimin e vizitave të zyrtarëve të Republikës së Serbisë pa lejen e Institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe
Hartimin e planit aksional në koordinim me faktorët e tjerë relevantë për zhbërjen e strukturave të pushtetit të Qeverisë së Republikës së Serbisë në veri të Republikës së Kosovës.
Ndryshe Serbia zhvillon të dielën zgjedhjet lokale për komunën e veriut të Mitrovicës, në Kosovë. Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit e BE-së i vlerësojnë këto zgjedhje të jashtëligjshme.