Verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë hap udhë për shtet të së drejtës
Prishtinë, 24 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka paraqitur dhe arsyetuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Qeverisjen tonë e kemi filluar me miratimin e Koncept Dokumentit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndërsa në vitin 2021 e kemi përfunduar me Projektligjin për Byronë Shtetërore, i cili është sjellë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për ta marrë miratimin tuaj sot, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fillim të fjalës së tij.
Kryeministri bëri të ditur se hartimi i këtij Projektligji është bërë në bashkëpunim me ekspertë dhe njohës ndërkombëtarë të fushës, krahas përfaqësuesve të duhur institucional, ekspertëve të pavarur dhe shoqërisë civile. Në hartim janë përfshirë madje edhe gjykatës e prokurorë, të cilët drejtpërsëdrejti interpretojnë dhe zbatojnë ligjet.
Projektligji është shumë i qartë dhe nuk cenon pavarësinë e pushteteve, deklaroi kryeministri. Byroja si një agjenci shtetërore e themeluar me Ligj nga Kuvendi, është e pavarur në verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë dhe të ekspozuarve politikë, ndërkaq pala të cilit i verifikohet pasuria në çdo kohë mund të argumentojë para gjykatës se pasurinë e ka fituar në mënyrë të ligjshme, shtoi ai.
Qytetarët tanë të ndershëm e të përgjegjshëm, meritojnë një shtet të drejtë dhe të barabartë, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se miratimi i këtij projektligji hap udhë për të vepruar në pajtim me zotimet e dhëna para qytetarëve e në përputhje me praktikat më të mira, për të ndërtuar një shtet të së drejtës me mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës.