Veprimet e Serbisë e kanë dëmtuar imazhin e Republikës së Kosovës
Prishtinë, 2 prill - Anëtarët e Komisionit dënuan arrestimin e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e Policisë së Republikës së Serbisë, ndërkaq lidhur më këtë ngjarje ata kërkuan informata të detajuara nga Ministria e Punëve të Brendshme
Veprimet e Serbisë e kanë dëmtuar imazhin e Republikës së Kosovës. Është cenuar territori i vendit dhe uniforma e shtetit tonë, nga ana e Serbisë. Andaj, ftojmë institucionet tona që të ndërmarrin masa të menjëhershme dhe të mos tolerohen më veprime të tilla, vlerësuan anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri, dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke dënuar kështu arrestimin e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nga ana e Policisë së Serbisë.
Me këtë rast, kryetari i komisionit parlamentar për siguri, Ahmet Isufi, vlerësoi se është obligim i institucioneve tona që të mbrojnë territorin e vendit, qytetarët dhe vetveten, si dhe mos të lejojnë që të poshtërohen para veprimeve anti-Kosovë, të cilat po i ndërmerr Serbia, ndërkaq shtoi se Serbia pa asnjë kusht duhet të bëjë lirimin e menjëhershëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Më tej, Isufi, këtë akt e konsideroi edhe si cenim të prezencës së Bashkësisë Ndërkombëtare në Kosovë, meqë BE-ja ka marrë obligim që të mbrojë kufijtë e Kosovës.
Ai tha se BE-ja duhet ta rishikojë pozicionin i Serbisë, meqë kjo është sjellja më e keqe e një shteti i cili ka fituar të drejtën e kandidaturës për BE. Me sjellje të tilla anti-civilizuese, antidemokratike, që cenojnë vlerat më të larta të një vendi, nuk mund të shkohet në Evropë, theksoi Isufi.
Anëtarët e Komisionit më tej shtuan se me aktin e tillë Serbia ka dëshmuar se nuk ka përfillur asnjë nga marrëveshjet që ka me BE-në, gjegjësisht me relacionin që kanë krijuar gjatë bisedimeve të fundit.
Anëtari i komisionit, Fatmir Xhelili, po ashtu ka shfaqur kritikat e tij edhe për KFOR-in, duke shtuar se edhe KFOR-i ka përgjegjësinë për sigurinë e vijës kufitare të Kosovës në drejtim të Serbisë.
Më tej ai shtoi se kujdesi dhe përkushtimi i Policisë së Kosovës është dashur të jetë më në nivel, meqë këto arrestime janë paralajmëruar më herët nga Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daciq.
Gjatë këtij takimi u theksua se duhet të rritet gatishmëria dhe niveli i përgjegjësisë së segmenteve të sigurisë.
Ndërsa, anëtari i komisionit, Emin Gërbeshi, gjatë diskutimit të tij tha se duhet të rishikohet pozicioni i bisedimeve me Serbinë, meqë tashmë Kosova nuk ka arsye të bisedojë dhe të nënshkruajë marrëveshje, të cilat Serbia nuk i respekton në asnjë mënyrë.
Pas diskutimit edhe të anëtarëve tjerë të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, të cilët njëzëri e dënuan këtë akt, anëtarët e komisionit u dakorduan që të kërkojnë informata të detajuara nga MPB-ja lidhur me këtë ngjarje.