23 Dhjetor 2024

Vënia e ligjshmërisë në vend interes i të gjithëve dhe nuk është kundër askujt

Prishtinë,  22 shtator - Nën kryesimin e kryeministrit Albin Kurti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e rregullt të 36-të.

Në fillim të mbledhjes Kryeministri Kurti foli rreth vendimit të qeverisë për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë e që hyjnë në Kosovë nga të gjitha pikat kufitare.

“Vënia e ligjshmërisë në vend është interes i të gjithëve dhe nuk është kundër askujt. Masat që i kemi ndërmarrë, vendimet që i kemi marrë janë për të gjithë pa diskriminuar dhe pa privilegjuar asnjeri. Për incidente dhe për eskalim nuk kanë interes shteti i Kosovës dhe as qytetarët e vendit tonë. Nuk kanë interes as serbët në Kosovë. Nuk ka interes për destabilizim as Serbia”, tha  kryeministri Kurti, duke falënderuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për punë e shkëlqyer e në veçanti të gjithë policët për profesionalizmin dhe korrektësinë e tyre.

Kryeministri në fjalën e tij foli edhe për 6 mujorin e punës së Qeverisë që nga marrja e mandatit, duke vlerësuar se veprimet e Qeverisë e kanë kthyer shtetin drejt rritjes dhe zhvillimit ekonomik, barazisë dhe mirëqenies sociale dhe progresit shoqëror.

Me vendimin e parë në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Inspektimet, i cili  përcakton parimet e inspektimit, rregullat, për organizimin e organeve inspektuese në kompetencë të administratës shtetërore dhe komunave, rregullat për koordinimin e veprimtarive të inspektimit dhe procedurën e inspektimit.

Pas shqyrtimit kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për Topografitë e Gjysmëpërçuesve, i cili përcakton kërkesat, masat dhe procedurat për mbrojtjen ligjore të topografive të produkteve gjysmëpërçuese dhe zbatimin e të drejtave që rrjedhin nga ky ligj.

Është miratuar edhe Plani i Veprimit për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës (2021-2023) në kuadër të Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës (2013-2023).

Ky është plani i tretë në kuadër të kësaj Strategjie në nivel vendi dhe ka për qëllim të avancojë në çdo aspekt të drejtat e personave me aftësi të kufizua deri në arritjen e një synimi final për krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse në të cilën personat me aftësi të kufizuar realizojnë potencialin e plotë të tyre dhe kanë të drejtën të jetojnë një jetë të dinjitetshme.

Me vendim të Qeverisë në mbledhjen e sotme është themeluar Komisioni Ekzekutiv (“Komisioni”) në qëllim të propozimit dhe hartimit të parimeve themelore, si parakusht për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, në këtë përbërje të anëtarëve të përhershëm:

2.1.      Kryeministri i Republikës së Kosovës, kryesues;

2.2.      Zëvendës Kryeministri i parë, zv. kryesues;

2.3.      Ministri i Ekonomisë, anëtar;

2.4.      Ministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, anëtar;

2.5.      Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; anëtar;

2.6.      Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, anëtar; dhe

2.7.      Zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu, Qeveria ka shqyrtuar dhe aprovuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë Nr. 07/43 të datës 13.11.2020, përmes të cilit Flamur Kadriu caktohet zëvendësues i Kryeshefit i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Ky vendim është pjesë përbërëse e vendimit të Qeverisë 09/27 të datës 30.04.2020.

U miratua edhe Nisma për nënshkrimin e Amendamentimit 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2017, Pjesa 1.

Po ashtu, u miratua edhe Nisma për nënshkrimin e Amendamentimit 1. të Marrëveshjes së Financimit në lidhje me Programin e Veprimit për Kosovën për vitin 2018.

Pas shqyrtimit janë miratuar edhe vendimet për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Zëvendëskryeministrit të parë z. Besnik Bislimi për nënshkrimin e Amendamentit 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2017, Pjesa I, dhe për nënshkrimin e Amendamentimit 1. të Marrëveshjes së Financimit në lidhje me Programin e Veprimit për Kosovën për vitin 2018.

Nga kabineti qeveritar është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e Specializantëve me vetëfinancim, nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere, prej datës 1 nëntor deri më 31 dhjetor të vitit 2021.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr.03/49 të datës 08.12.2020 i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin Nr. 18/19 të datës 14.07.2021, në të cilën pika dy e vendimit ndryshohet/plotësohet si në vijim: Shtyhet afati i mbylljes së avansit duke zgjatur afatin deri me datën 30.11.2021. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)