Vendimmarrësit e Gjilanit themelojnë 11 trupa ndihmëse të Kuvendit
Gjilan, 27 janar - Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e sotme, nën kryesimin e Arianit Sadikut, ka miratuar vendimin për themelimin e komiteteve dhe numrin e anëtarëve të Komiteteve obligative dhe Komiteteve të tjera, vendimin për zgjedhjen e anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit në Kuvendin Asociacionit të Komunave të Kosovës si dhe vendimin për themelimin e grupit punues për hartimin e planit vjetor të punës të Kuvendit për vitin 2022, ndërkaq propozim-vendimi për miratimin e orarit të mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve, është shtyrë për seancën tjetër.
Pas një debati të gjerë rreth formulës së përfaqësimit politik dhe gjinor në komitete, ku pati edhe mospajtime, sidomos nga përfaqësuesi i AAK-së, Nazim Gagica, Kuvendi ka votuar për themelimin e 11 komiteteve dhe përbërjet e tyre.
Komiteti për Politikë dhe Financa dhe Komiteti për Komunitete, si trupa obligative, do t`i kenë 9 anëtarë, përkatësisht 7, derisa komitetet tjera, jo obligative, do t`i kenë nga 5 anëtarë.
Kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku ka kërkuar nga subjektet politike që deri të hënën t`i sjellin emrat për secilin komitet, sipas formulës së miratuar për përfaqësim, duke respektuar edhe kriterin gjinor, në mënyrë që këta trupa të bëhen funksionalë sa më parë.
Për përfaqësim në Kuvendin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Kuvendi zgjodhi Imran Haziri (LDK), Mimoza Kadriun (LVV) dhe Bujar Nevzatin (PDK).