Vendimet e dy qeverive nga Prizreni
Mbledhja është hapur me fjalimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe atë të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë theksoi se qëllimi i këtij takimi mes dy qeverive, dhe i atyre të ardhshme, ka për të qenë pikërisht përshpejtimi apo përmirësimi i zbatimit të marrëveshjeve të mëhershme dhe njëherazi zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit bilateral nëpërmjet hartimit të marrëveshjeve të reja.
Z.Thaçi potencoi se adoptimi i praktikës së mbledhjeve të përbashkëta nga dy qeveritë, nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë është relativisht e vonuar, duke patur parasysh se sa shumë herë janë organizuar këto mbledhje të përbashkëta qeveritare në rajon. Për këtë arsye lindë nevoja që mbledhjet ardhshmet të përbashkëta duhet të jenë edhe më të ngjeshura e të ngarkuara me punë, për të kompensuar kohën e humbur dhe për të kapur ritmin e vendeve të tjera të rajonit.
Kryeministri Thaçi deklaroi gjithashtu se nëpërmjet mbledhjes zotohemi jo vetëm që të bëjmë çmos për përmirësimin e marrëdhënieve mes qytetarëve të shteteve respektive, por edhe që të marrim përsipër përgjegjësinë historike për t\'u kujdesur për bashkombasit që gjenden pakicë në rajon si dhe për të forcuar lidhjet me mbarë diasporën.
Për këtë arsye, shtoi z.Thaçi, edhe dy produktet më thelbësore konkrete që dolën nga mbledhja lidhen me shqiptarët e rajonit të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Njëra nismë ka të bëjë me miratimin e financimit të kompletimit me pajisje mjekësore të maternitetit të Preshevës, ndërsa tjetra është nisma për krijimin e një fondi zhvillimor për shqiptarët e rajonit të Luginës së Preshevës.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij para dy kabineteve qeveritare u shpreh se ajo që kishte bërë bashkë sot, në një tryezë të bashkëqeverisjes strategjike, Qeverinë e Shqipërisë dhe Qeverisë e Kosovës, ishte një nismë që ka të bëjë pikë së pari, me kontributin tonë për integrimin shqiptar dhe rajonal në Evropën e bashkuar, si shprehje e vendosmërisë sonë të përbashkuar për ta jetësuar këtë integrim si hapësire evropiane të tejkufijve.
Z.Rama e quajti këtë nismë si pikënisje të një rrugëtimi të përbashkët institucional, drejt zhvillimit të vendeve tona; forcimit të ekonomive tona; modernizimit të shteteve tona; transformimit të arsimit shqipfolës; pasurimit të jetës sonë kulturore; ripërtëritjes së vazhdueshme të shoqërive tona dhe shtimit dhe fuqizimit të ndërlidhjeve mes tyre.
Më tej Kryeministri Edi Rama tha se dëshiron të ketë mbledhje të përbashkëta edhe me qeveri të tjera, vende të tjera, partnere strategjike ose partnere të çmuara në rrugën tonë drejt demokratizimit, modernizimit dhe integrimit tonë rajonal e evropian. Mirëpo sipas z.Rama: do të ishte mungesë e madhe sinqeriteti që ta fshihja se mbledhja me qeverinë e Kosovës është një eksperiencë unikale, e replikueshme në formë, por jo në thelb. Sepse gjuha jonë është një, ëndrra jonë është një, qëllimi ynë i përbashkët është vetëm një- theksoi Kryeministri Rama.
Në mbledhjen e parë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë janë shqyrtuar:
1. Dokumenti për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë
2. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në Lehtësimin e Tregtisë;
3. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në fushat e Transportit dhe Infrastrukturës
4. Propozimi për Bashkëfinancim të pajisjeve mjekësore të Maternitetit të Preshevës;
5. Propozimi për përfaqësimin e përbashkët konsullor midis Republikës se Kosovës dhe Republikës se Shqipërisë;
6. Marrëveshja për Bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë;
7. Marrëveshja për Bashkëpunim në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të energjisë;
8. Themelimi i iniciativës për Fondin Zhvillimor për Luginën e Preshevës;
9. Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe aktivitetet për ndërtimin e kalendarit të përbashkët kulturor
10. Propozimi për bashkëfinancimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DOKUFEST në Prizren;
11. Propozimi për heqjen e taksës së TVSH-së apo taksës tjetër doganore për importin e librit nga Shqipëria
12. Dorëzimi i legjislacionit të BE-së të përkthyer në gjuhën Shqipe nga Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Shqipërisë te Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës;
13. Themelimi i Komisionit të Përbashkët Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së, si dhe bashkëpunimit në sferën e përafrimit të legjislacionit ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës
Pas mbledhjes, në një ceremoni të organizuar në ambientet e Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumenti për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë dhe marrëveshjeve tjera të arritura mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Kryeministri Hashim Thaçi dhe Kryeministri Edi Rama, pas ceremonisë së nënshkrimit, mbajtën një konferencë të përbashkët, ku iu përgjigjën interesimit të medias për punimet e mbledhjes, ku morën pjesë të gjithë anëtarët e kabineteve qeveritare të dy vendeve, si dhe për nismat e ndërmarra për konsolidimin e marrëdhënieve bilaterale.
Kryeministri Hashim Thaçi para gazetarëve vuri në dukje rëndësinë e çuarjes përpara të bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në sektorët strategjik, si ai ekonomik dhe energjitik, për të cilin z.Thaçi theksoi se ka një potencial të madh partneriteti dhe një nevojë të madh për integrim.
Po ashtu, kryeministri Thaçi vuri në dukje se integrimi duhet të shtrihet gradualisht në të gjitha sferat e tjera të jetës dhe se ky thellimi bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës i shërben edhe rritjes së stabilitetit dhe frymës së fqinjësisë së mirë në rajon.
Kryeministri Edi Rama në deklarimin e tij para medias theksoi se është shumë e rëndësishme që nëpërmjet mbledhjeve të përbashkëta dy shtetet të sinkronizojnë burimet natyrore, të cilat i konsideron thelbësore për zhvillimin e dy vendeve.
Po ashtu z.Rama u ndal të radhiste zhvillime të rëndësishme në kuadër të thellimit të bashkepunimit mes dy vendeve, sikurse janë koordinimi për sa i përket përkujdesjes ndaj bashkëkombasve, e ku hapi i parë i hedhur është ai në lidhje me mbështetjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Gjithashtu forcimi i bashkëpunimit lidhur me shërbimet konsullore, duke nisur me krijimin e dy konsullatave dhe duke ndërmarrë veprime të tjera që do të synojnë racionalizimin dhe optimalizimin e përdorimit të burimeve të kufizuara, që të dy vendet kanë në fushën e diplomacisë.