Vendet e rezervuara, pengesë për demokracinë
Prishtinë, 19 dhjetor - Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, ka thënë se vazhdimi i vendeve të rezervuara për minoritetet në Kuvendin e Kosovës e pamundëson realizimin e bashkëjetesës në vend.
Sipas tij, një gjë e tillë është pengesë për demokracinë dhe stagnon zhvillimin e Republikës së Kosovës.
Në një intervistë për Epokën e re, Selimi ka thënë se përshkallëzimi i padrejtësisë deri në këtë shkallë mund ta pamundësojë Republikën. Selimi ka vlerësuar se vendet e rezervuara shkaktojnë diskriminim edhe të qytetarët.
Kjo nuk përbën thjesht një padrejtësi brenda parlamentit dhe institucioneve përfaqësuese, por i bënë të pabarabartë edhe votuesit, të cilët dallojnë nga njëri-tjetri në vartësi të etnitetit që kanë. Përshkallëzimi i padrejtësisë deri në këtë shkallë e bën të pamundshëm demokracinë, por edhe bashkëjetesën. Vendet e rezervuara e pamundësojnë edhe republikën, ka thënë Selimi.
Duke folur për Asociacionin e Komunave Serbe, Selimi ka paralajmëruar se ky asociacion do të krijojë një entit politik serb të pavarur, i cili do ti sjellë probleme të mëdha Republikës së Kosovës.
Në të vërtetë, me luftën çlirimtare të UÇK-së e hoqëm Kosovën nga Serbia, por me negociatat nuk e hoqëm Serbinë nga Kosova. Nëse UÇK-ja e shkëputi me luftë Kosovën nga Serbia, Qeveria e Kosovës e riktheu jo Kosovën në Serbi, por Serbinë brenda Kosovës, si një Kalë të Trojës, i cili nuk dihet se çka do të nxjerrë nga brendia e tij tash e në të ardhmen, është shprehur Selimi.
Selimi, i cili është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen të FSK-së, ka folur edhe për rekrutimin e ish-pjesëtarëve të MUP-it në Policinë e Kosovës.
Ai ka bërë me dije se një shtet i pavarur dhe sovran nuk do të duhej ti rekrutojë në strukturat e sigurisë njerëz të një shteti tjetër. Sipas Selimit, strukturat e tilla paraqesin rrezik për shtetin, pavarësinë dhe për lirinë e Kosovës. Sa iu përket kryetarëve të rinj serbë, Selimi ka thënë se ata nuk do të bashkëpunojnë me institucionet e Republikës së Kosovës, pasi Lista Serbe është projekt i Serbisë.