Vdekja e Qani Mehmedit, humbje për gazetarinë
Prishtinë, 18 korrik - Partia e Drejtësisë ka shprehur ngushëllime për vdekjen e publicistit Qani Memedi. Sipas PD-së, vdekja e Qani Mehmedit paraqet humbje për gazetarinë dhe publicistikën shqiptare.
\"Sot, media shqiptare është në zi për vdekjen e gazetarit dhe publicistit të mirënjohur Qani Mehmedi, i cili ka qenë në ngjarjet dhe zhvillimet për Pavarësinë e Kosovës qysh në ditët e para. Ai në kohët më të vështira ishte zë i fuqishëm për të gjithë shqiptarët\", thuhet në një kumtesë të PD-së.
Sot në orët e para të mëngjesit, pas një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë, publicisti dhe redaktori i vyer i Radio Televizionit të Kosovës, Qani Mehmedi.
Qani Mehmedi lindi me 12 mars 1953 në Dragomisht të Vogël të Kërçoves. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Tetovë kurse studimet për gazetari dhe diplomaci në Universitetin e Prishtinës ndërsa magjistroi në shkencat politike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.
Punoi gazetar dhe redaktor në gazetat Bota e re dhe Zëri i Rinisë, redaktor në Radio Televizionin e Prishtinës, në Radio Zagreb dhe në Radio Televizionin Shqiptar. Ishte redaktor i revistës Dituria.
Pas luftës punoi redaktor në Radio Televizionin e Kosovës, kryeredaktor në të përditshmen Lajm kurse aktualisht ishte redaktor në Radio Kosovë.
Qani Mehmedi ishte laureat i Çmimit për gazetari Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka Çmimit ndërkombëtar Ballkani zemra e Evropës, që ndahet në Prespë, gazetar i vitit në Revistën Zëri i Rinisë, punëtor i dalluar i Gazetës Rilindja. Laureat i një varg mirënjohjesh dhe shpërblimesh tjera.
Ka botuar me dhjetëra kolumne editoriale, intervista në gazetat e Prishtinës Tiranës, Shkupit, Zagrebit dhe Sarajevës.
Së fundi ka botuar studimin Shtetformimi i Kosovës 1968 -2008.
Qani Mehmedi ishte dëshmi e gjallë e historisë së Kosovës në afro dyzet vitet e fundit. Ai kishte një arkiv të madh të trashëguar nga lidhjet, bashkëpunimet patriotike dhe miqësitë e shumta.
Varrimi i të ndjerit bëhet sot në fshatin e tij të lindjes në Drogomisht të Vogël, në Kërçovë të Maqedonisë në orën 18.