Vazhdon zotimi i komunave për mobilizim gjatë Ditëve të diasporës
Prishtinë, 29 qershor - Në takimet që ministri i Diasporës, Valon Murati, po i zhvillon nëpër komuna të Kosovës, sot u takua me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, me atë të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, si dhe me kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashi.
Në të tria takimet u bisedua për përgatitjet e komunave për ti pritur bashkatdhetarët. Po ashtu, u diskutua edhe për zhvillimin ekonomik, për politikat e komunave, si dhe për çështjen e investimeve nga diaspora.
Ministri Murati me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, bisedoi edhe për problemet, me të cilat ballafaqohen investitorët nga diaspora, për sigurimin e investimeve, për fuqinë punëtore, për problemet me energjinë elektrike e për çështje të tjera.
Në këtë kontekst, ministri Murati tha: Ne, si MeD, po bëjmë përpjekje që të jemi kanali zyrtar mes investitorëve nga diaspora dhe institucioneve tona. Në këtë drejtim, komunat luajnë një rol mjaft të rëndësishëm që përmes projekteve konkrete të bëhen investime nga diaspora.
Në takim me kryetarin Bahtiri, ministri Murati u informua për aktivitetet kulturore që do ti organizojë kjo komunë, për zgjatjen e orarit nëpër shërbimet komunale, në mënyrë që bashkatdhetarëve tu krijohen lehtësi për nxjerrjen e dokumenteve që u nevojiten.
Edhe kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, tha se kjo komunë i ka bërë përgatitjet e duhura për pritjen e bashkatdhetarëve. Përparësi e kësaj komune është se këto ditë nis edhe aktivizimi i aparateve për nxjerrjen e dokumenteve, proces ky që do tua lehtësojë dukshëm punën bashkatdhetarëve.
Por, krahas pritjes së bashkatdhetarëve, ministri Murati dhe kryetarët e komunave biseduan edhe për krijimin e kushteve të favorshme që investitorët nga diaspora të investojnë në komuna, si dhe për mundësinë e mbajtjes së takimeve të përbashkëta të bizneseve vendëse dhe atyre të diasporës, në mënyrë që të ndërtohen marrëdhënie bashkëpunimi për investime të përbashkëta.
Edhe në komunën e Obiliqit, orari në administratën komunale do të zgjatet varësisht prej kërkesave të bashkatdhetarëve.
Ministri Murati kërkoi që aktivitetet e organizuara në këto komuna të shfrytëzohen edhe për regjistrimin e diasporës, në kuadër të fushatës Ti je pjesë e atdheut, proces ky shumë i rëndësishëm, si dhe sugjeroi që komunat të jenë të mobilizuara gjatë kohës së qëndrimit të bashkatdhetarëve tanë në Kosovë.
Takimet e ministrit Murati do të vazhdojnë edhe nesër, në komunën e Skenderajt dhe atë të Drenasit.