Vazhdon turneu lobues i Pacollit në Afrikë
Prishtinë, 23 mars - Në kuadër të përgjegjësive shtetërore për lobim, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli ka vazhduar turneun e tij lobues në kontinentin Afrikan.
Nga Etiopia, zëvendëskryeministri Pacolli, sipas agjendës është dashur të udhëtojë për në Mali, por për shkak të problemeve të brendshme atje, ka udhëtuar në Republikën e Zambisë, ku pritet të takohet me kryetarin e këtij shteti z. Michael Sata.
Temë diskutimi me presidentin Sata do të jetë shtyrja përpara e procesit të njohjes së Republikës së Kosovës, nga ky vend dhe vendet tjera anëtare të SADC. Republika e Zambisë është shtet anëtarë i Komunitetit zhvillimor të vendeve të Afrikës jugore, (Southern African Development Community), SADC.
Me 1 mars të këtij viti, zëvendëskryeministri Pacolli ka marrë pjesë në samitin e SADC në Luanda të Angolës, ku ka zhvilluar takime të rëndësishme me udhëheqës shtetesh nga ky komunitet.
Vendet anëtare të SADC, janë: Angola, Bostwana, Republika Demokratike e Kongos, Lesotho, Malawi, Mauritius, Mozambique, Namibia, Swaziland, Tanzania, Zambia, Zimbabëe, Sychelles. Pas Zambisë, turneu lobues i zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli do të vazhdojë në Republikën Demokratike të Kongos.