Vazhdon procesi i regjistrimit të deputetëve
Prishtinë, 31 korrik - Po vazhdon procesi i regjistrimit të deputetëve të Legjislaturës VI të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me pjesën e mbetur nga java e kaluar. Regjistrimi i deputetit nuk është i paraparë me dispozitat e Kushtetutës të Republikës së Kosovës dhe as me dispozitat e Rregullores së Kuvendit.
"Regjistrimi i deputetit është një veprim administrativ për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për administratën e Kuvendit, ku përfshihen: kopja e kartelës bankare, kopja e letërnjoftimit, adresa e banimit dhe CV-ja", thuhet në një njoftim të Kuvendit.
Sipas njoftimit, këto dokumente mund të dorëzohen në Administratën e Kuvendit në çdo kohë të përshtatshme për deputetin.
"Konform praktikave të legjislaturave të kaluara, regjistrimi i deputetit (në holl) nga administrata e Kuvendit para seancës konstituive, bëhet me qëllim të lehtësimit teknik", thuhet më tej në njoftim.
Sipas njoftimit, lëshimi i afatit të caktuar nga Kryesia e Kuvendit për regjistrimin e deputetit, nuk ka pengesa për pjesëmarrje të deputetit në seancën konstituive të Kuvendit.