Vazhdojnë diskutimet për njohjen e Kosovës
Prishtinë, 11 mars - Procesi i njohjeve dhe deklarimet e ish-ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, se gjatë këtij procesi është provuar të bëheshin transaksione të ndryshme, nuk janë pritur mirë nga zyrtarët qeveritarë.
Nga Zyra e zv.kryeminstrit Behgjet Pacolli thonë se njohjet nuk janë mall për tu blerë, raporton ktv. Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i zv.kryeministrit Behxhet Pacolli, deklaratën e Skënder Hysenit e quan katastrofale.
Sipas tij, në kuadër të angazhimeve të Pacollit ka pasur shpenzime marramendëse, por ato shpenzime janë transparente. Ndërsa, në LDK thonë se vetë deklaratat e zyrtarëve qeveritarë kanë bërë që të ketë dyshime.
Vjosa Osmani, ka mbrojtur qëndrimin e LDK-së se njohjet janë meritë e popullit dhe jo e individëve. LDK-ja vlerëson se çakordimi total që është dëshmuar gjatë kësaj periudhe, ka rezultuar me hezitim për njohje të Kosovës nga shtete të ndryshme.
Deri tashti, numri i njohjeve që rezultojnë në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme është 98.