16 Janar 2025

Vazhdohet me ulëset e rezervuara

Prishtinë, 10 prill - Edhe pse me Pakon e Ahtisaarit ka përfunduar obligimi i Kosovës për të garantuar vende të rezervuara në Kuvend për pakicat kombëtare, përfaqësuesit e partive politike po e shqyrtojnë mundësinë që, shkaku i serbëve, pakicave t’u garantohen vende edhe për dy mandate.

Kjo kërkesë fillimisht është bërë nga liderët politikë serbë të Kosovës, ndërsa tani thuhet se është një kompromis i radhës që Kosova duhet ta bëjë këtë veprim, shkaku i veriut.

Përfaqësues të partive politike, që përbëjnë Komisionin për ndryshime të reformës zgjedhore, ku pjesë e temës është edhe ulëset e rezervuara, bëjnë të ditur se kjo ka të bëjë konkretisht me veriun, që udhëheqës politikë nga atje të jenë pjesë e Parlamentit të Kosovës, pas nënshkrimit të marrëveshjes eventuale Prishtinë - Beograd.

Për këtë tashmë ka pajtim të shumicës së përbërjes në këtë komision, por vendimi nuk do të merret deri pas përfundimit të procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi.

Ditë më parë është mbajtur takim i këtij komisioni ku u njoftua se po diskutohet që ulëset e rezervuara të vazhdohen edhe për dy pakica tjera, ato kroate e malazeze.

Sadri Ferati, deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK, tha për ‘Zëri’ se ky është një çmim i radhës që Kosova mund ta japë, por çka do të fitojë kur të japë këtë çmim, pritet të shihet pas përfundimit të bisedimeve.

“Sidoqoftë, është herët të themi se ka vendim për këtë, sepse kjo varet nga nënshkrimi i marrëveshjes Prishtinë-Beograd në Bruksel, për veriun. E pastaj do të ketë edhe koncensues politik dhe të flitet për numrin e tyre e gjëra tjera. Po ashtu mbetet të shihet se çka do të fitojë Kosova nëse e bën edhe këtë kompromis”, tha Ferati.

Ai shtoi se në takimin e fundit të thirrur nga zëvendëskryeministri Slobodan Petroviq, është kërkuar që edhe për dy mandate të ketë ulëse të rezervuara, ndërsa tha se një kërkesë të tillë mund ta ketë edhe Brukseli. “Nuk e them që e ka bërë Brukseli këtë, por mund ta bëjë, pasi që varet nga bisedimet”, u shpreh ai.

Kjo është një prej temave të vetme që po diskutohen për ndryshime në reformë zgjedhore, për çka e pranoi edhe Ramush Haradinaj, lideri i AAK-së.

Sipas tij, është me rëndësi përfaqësimi i serbëve të veriut në Parlament, por nuk bën që kjo të shkojë në dëm të serbëve të pjesës qendrore të Kosovës dhe në dëm të pakicave tjera. Prandaj, ai tha se, nëse ndodh që të shtohet edhe për një apo më shumë mandate rezervimi i ulëseve në Kuvend, atëherë të shtohen ulëset edhe pakicat tjera e po ashtu edhe për kroatët e malazeztë, dy këto pakica që deri më tani nuk kanë pasur ulëse të rezervuara.

Ndryshe, pak prej përfaqësuesve politikë të partive të ndryshme kanë pranuar të flasin për këtë temë. Madje jo të gjithë janë të vetëdijshëm për propozimet e tilla, dhe jo të gjithë e duan këtë.

Safete Hadergjonaj, deputete nga PDK, tha për "Zërin" se ajo personalisht nuk pajtohet që edhe pas pakos së Ahtisaari të vazhdohet me ulëse të rezervuara.

“Unë jam ithtare e asaj që të respektohet pakoja e Ahtisaarit siç e kemi votu në parlament, dhe të mos tejkalohet. Sidoqoftë, mendoj se kjo temë do të diskutohet dhe cilido që të jetë vendimi i shumicës unë do ta respektoj”, tha Hadergjonaj.

Ndërkaq, partia e vetme që shprehet kategorikisht kundër vazhdimit të ulëseve të rezervuara për pakicat është Vetëvendosje.

Albin Kurti nga kjo parti e quan një gjë të tillë antidemokratike, proces që krijon deputetë të papërgjegjshëm për shkak se zgjedhen jo me meritë, por me rezervim.

Ai përmendi Kroacinë, e cila ka 14 minoritete, por nuk siguron ulëse për to, ndërsa në Kosovë thotë se po mundësohet që malazeztë e kroatët të krijojnë bashkësi nacionale.

Ndryshe, siç është deklaruar para pak dite, për media, Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit për Reformë Kushtetuese, vazhdimi i praktikës së vendeve të rezervuara për pakicat del jashtë Pakos së Ahtisaarit dhe se kjo çështje nuk është objekt i debateve zgjedhore, por krejtësisht çështje që ka të bëjë me reformën kushtetuese.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)