Vazhdimi i seancës konstituive caktohet më 24 gusht
Prishtinë, 16 gusht - Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti Adem Mikullovci, pas diskutimeve në takimin konsultativ ka caktuar për 24 gusht vazhdimin e seancës.
Mbajtjen e seancës më 24 gusht e ka kërkuar përfaqësuesi i koalicionit PAN [PDK-AAK-Nisma], Enver Hoxhaj. Ai ka thënë se pas konsultimit me partnerët e koalicionit, kërkojnë që më 24 gusht të mbahet vazhdimi i seancën konstituive, ku ky koalicion do të propozojë për kryetar të Kuvendit, Kadri Veselin.
Kurse, Avdullah Hoti nga koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, ka thënë sërish se të gjitha partitë politike duhet të jenë të përgjegjshme para qytetarëve dhe nuk duhet të lejohet në këtë formë, siç po ndodh bllokimi i institucioneve.
Në takimin konsultativ morrën pjesë përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës si dhe përfaqësuesit e minoriteteve.
Në këtë takim nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.