Vazhdimi i dialogut me Serbinë, legjtimon platformën serbe për Kosovën
Prishtinë, 21 dhjetor - Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me platformën e përgatitur nga Serbia për Kosovën. Përmes një konference për shtyp përfaqësuesit e VV kanë kërkuar nga kryeminstri Thaçi të ndërpresë dialogun me Serbinë.
Sipas tyre vazhdimi i dialogut me Serbinë, pas prezantimit të platformës serbe, do të ishte pranim automatik i pazarit për veriun.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës u shpreh se derisa qeveria dhe kryeministri e quajnë platformën e Serbisë antievropiane dhe raciste, nuk kanë arsye të vazhdojnë edhe më tutje të marrin pjesë në dialog.
Kemi thënë prej fillimit që qëllimi i Serbisë nuk është ndarja e Kosovës, por është krijimi i një Republike Serbe brenda Kosovës. Dhe pikërisht ajo u pa edhe me këtë platformën e re. Autonomia apo Republika Serbe brenda Kosovës, brina ska, tha Ahmeti.
Glauk Konjufca nga ana tjetër, tha se Qeveria e Kosovës do të shprehte pajtueshmërinë me platformën serbe, nëse shkon në takimin e paraparë më 17 janar 2013 në Bruksel.
Në momentin që këta shkojnë dhe temë do të jetë platforma e Serbisë, kjo është pajtueshmëri automatike se këta po duan ta ndajnë me Beogradin pushtetin në një pjesë të territorit tonë, dhe kjo është e padrejtë, tha Konjufca.
Me këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje u bëri thirrje edhe BE-së e SHBA-së që të deklarojnë qartë qëndrimin e tyre për platformën e Serbisë.