Vatra: Lugina e Preshevës duhet të jet pjesë e dialogut politik
Paralajmërimet për fillimin e dialogut politik në mes Kosovës e Serbisë, kanë alarmuar jo vetëm faktorin politik në Kosovë, por edhe tek shqiptarët brenda kufijve administrativ të Serbisë. Shoqata Vatra, përmes një kumtese, ka paralajmëruar institucionet e Kosovës, por edhe faktorin ndërkombëtar se nëse veriu i Kosovës cilësohet si problem politik, atëherë edhe Kosova Lindore (Lugina e Preshevës) duhet të cilësohet si e tillë.
\"Populli shqiptar i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, nga bisedimet e deritashme në mes Kosovës e Serbisë ka përvoja të hidhura, sepse çështja e pazgjidhur e tyre ka mbetur prapa dyerve të Rambujesë, Vjenës e takimeve tjera duke e lënë që ajo popullatë të diskriminohet e nëpërkëmbet nga pushteti serb duke i shkelur kështu të gjitha konventat ndërkombëtare të popujve për të jetuar të lirë\", thuhet në kumtesën e lëshuar nga Vatra.
Duke pasur parasysh frikën se Kosova Lindore përsëri do të mbetet jashtë agjendës, Vatra kërkon nga institucionet e Kosovës dhe nga faktori ndërkombëtar që në bisedimet eventuale Kosovë-Serbi, çështja e pazgjidhur e Kosovës Lindore të jetë domosdoshmërisht pjesë e këtyre bisedimeve, duke marrë pjesë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.
\"Çdo alternativë tjetër, stimulon fillim të problemeve të rajonit, sepse, në një anë duke i favorizuar serbët e Kosovës e në anën tjetër duke mbajtur të pushtuar dhe duke i diskriminuar shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës i ofendon e frustron, prandaj ai (populli shqiptar) edhe në të ardhmen, si gjithë herë do të kërkojë më ngulm, që e drejta e popujve për vetëvendosje të realizohet edhe te populli shqiptar i këtij rajoni.\"
\"Moszgjidhja e të drejtave të popujve në këto hapësira në mënyrë të njëjtë, e në këtë rast e shqiptarëve të Kosovës Lindore përgjegjës do të jenë ata që vendosin në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar\", thuhet në kumtesën e nënshkruar nga kryetari i Vatrës, Sejdulla Kadriu.
Sipas Vatrës populli shqiptar i Kosovës Lindore është përcaktuar për bashkangjitje me trungun e vet- Kosovën në Referendumin e 1 e 2 marsit 1992, luftën e UÇPMB-së dhe Deklaratën Politike të Këshilltarëve të tri komunave.