19 Maj 2024

“Vatra” kërkon dokumente personale për Luginën e Preshevës

Preshevë, 7 mars - Shoqata “Vatra” e të shpërngulurve shqiptarë nga tre komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë kërkon nga ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi që të pajisen me dokumente personale të Republikës së Kosovës.

“Ne tashmë më shumë se 14 vite po mbajmë epitetin e të shpërngulurve në shtetin tonë amë, duke shpresuar së shpejti se do të tërhiqet ushtria serbe nga territoret e vendbanimeve tona.\"

\"Politika e përfaqësuesve shqiptarë të Kosovës lindore ka dështuar dhe na ka lënë pas dore. Kjo popullatë më e keqja që është ka mbetur pa dokumente të identifikimit dhe kështu problemet po rriten edhe më shumë”, thekson “Vatra”.

Sipas saj, Serbia tashmë ka ndaluar dhënien e dokumenteve për këta qytetarët, për të cilët është informuar se janë me qëndrim në Kosovë, ndërsa nga ana tjetër, edhe Kosova nuk u jep dokumente, duke kërkuar që ata të sjellin dokumente nga Beogradi dhe gjykatat serbe se gjoja a janë të dënuar apo jo.

“Tingëllon absurde kur institucionet e Kosovës kërkojnë, që këta banorë të sjellin dëshmi nga gjykatat serbe që nuk janë nën hetime. Kjo kërkesë automatikisht i lë pa dokumente ish pjestarët e UÇPMB-së dhe veprimtarët  e çështjes kombëtare, të cilët në asnjë mënyrë nuk mund të marrin dokument të tillë, por edhe po të shkojnë të kërkojnë dokumente të tilla, do të burgosen nga organet serbe.\"

\"Posaçërisht në gjendje shumë të keqe gjenden të rinjtë që tash i kanë mbushur mbi 18 vjet. Atyre janë duke u cenuar të drejtat për shkollim, për lëvizje të lirë etj”, thekson “Vatra”.

Ajo kërkon zgjidhje të menjëhershme nga institucionet e Kosovës, në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve të dëbuar nga Kosova Lindore të njihen banorë të Kosovës.

\"Në emër të Kryesisë së Shoqatës u bëjmë thirrje Ju z. Bajram Rexhepi, të bëni diçka në të mirë të kësaj popullate, për hir të rinisë dhe të ardhmes së tyre. Të mos harroni se kjo popullatë nuk është larguar me dëshirë, por para tytave të automatikut, e këto katrahura besojmë, nuk i keni harruar as Ju z. Ministër!”, thuhet në apelin e shoqatës “Vatra”. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)