22 Janar 2025

Vatikani gradualisht po e njeh Kosovën

Prizren, 27 shtator - Delegati apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës, Juliusz Janusz, ka marrë pjesë në meshën e madhe të së  dielës në Prizren. Përveç mesazheve të paqes që përcolli në këtë ritual fetar, ai nuk ka lënë pa përmendur edhe sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova.

Migrimi i të rinjve ishte fjala kryesore e tij në këtë meshë në katedralen “Zonja Ndihmëtare” në Prizren. Në fjalën e tij drejtuar të rinjve, ai apeloi që të rinjtë kosovarë të qëndrojnë në Kosovë.

“E ruaj gjithnjë një kujtim nga fëmijëria ime që i përket historisë suaj. Filmi i parë që kam parë në jetën time ka qenë filmi mbi Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, heroin tuaj të madh kombëtar. Shoh sikur të ishin sot trimëritë e këtij njeriu, vendosmërinë për të mbrojtur tokën e tij, ndjeshmërinë për drejtësi dhe fisnikërinë ndaj të tjerëve.\"

\"Ai nuk zhgënjehej përballë vështirësive. E jeton ëndrrën e lirisë. E di gjithashtu situatën e sotme, që nuk ju lehtëson në realizimin e ëndrrave të tuaja. Shumë të rinj i braktisin këto toka në kërkim të një bote më të mirë.\"

\"Natyrisht çdonjëri prej jush ka të drejtë të vendosë mbi jetën e vet e të kërkojë jetë më të mirë, por nga ana tjetër kush do të duhej që ta ndërtonte realitetin tuaj të ri në Kosovë, kush është shpresa e kësaj shoqërie??? Sigurisht jeni ju e ju duhet të gjeni motive për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie të drejtë e paqedashëse. Shpresa jonë dhe gëzimi ynë s’është vetëm të kërkuarit e një sistemi material”, tha Juliusz Janusz, delegat apostolik për Republikën e Kosovës i Vatikanit, raporton televizioni publik.

Në anën tjetër, delegati apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës, Juliusz Janusz, ka shprehur përkrahjen e gjithanshme të Vatikanit për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur, ndërsa Vatikani njohjen e Kosovës po e bën hap pas hapi”, tha ai.

Ai ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë dhe ka shprehur përkrahjen e Vatikanit për zhvillimin e mëtutjeshëm të proceseve demokratike në Kosovë.

“Kishat në Kosovë nuk duhet të ndihen të vetme”, tha ndër të tjera Janusz.

Ai përcolli edhe lutjen e Atit të shenjtë të Papa Françeskut, në emrin e të cilit ndau bekimin apostolik. “Zoti e bekoftë Kosovën”, tha në fund Juliusz Janusz.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)