18 Janar 2025

Valon Murati kandidat i LB-së për kryetar të Prishtinës

Prishtinë, 1 shtator - Në një takim me udhëheqësit e strukturave të degës së Prishtinës, Lëvizja për Bashkim prezantoi kandidatin e saj për Kryetar të Komunës së Prishtinës.

Kandidat për kryetar të kësaj komune, i cili do të garojë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në emër të Lëvizjes për Bashkim do të jetë Valon Murati.

Takimin e hapi përfaqësuesi i Degës së Prishtinës, Brahim Mehmetaj. Ai fillimisht foli rreth aktivitetit të LB-së në Prishtinë, me ç‘rast potencoi sukseset e mëdha të arritura gjatë këtij aktiviteti.

Mehmetaj i falënderoi aktivistët për këtë punë të madhe dhe i ftoi ata që me të njëjtin intensitet të vazhdojnë edhe gjatë kësaj kohe që ka mbetur deri në zgjedhje, në mënyrë që të dalim fitues prej tyre.

Më pas ai e prezantoi edhe listën me kandidatë për asambleistë të Komunës së Prishtinës. Për ta prezantuar kandidatin për kryetar të Prishtinës, fjalën e mori Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku.

“Puna juaj këmbëngulëse dhe e palodhshme ka bërë që në Prishtinë Lëvizja për Bashkim të ndërtojë struktura të fuqishme organizative të cilat janë një garanci për punën në të ardhmen për realizimin e programit kombëtar të Lëvizjes për Bashkim e sidomos për suksesin që me të drejtë e presim në zgjedhjet lokale në Prishtinë”- u shpreh ai në fillim të fjalës së tij.

Ai vazhdoi me tutje duke theksuar se “Ju edhe në përzgjedhjen e kandidatit tuaj për kryetar të komunës së Prishtinës jeni treguar të matur, largpamës e të drejtë. Ju e keni zgjedhur për kandidat tuajin një personalitet, i cili nuk ka faqe të historisë së re të Kosovës që nuk ka lënë gjurmë dhe që nuk ka ndikuar në rrjedhjen e saj”.

Më pas ai i numëroi cilësitë që e veçojnë kandidatin e LB-së nga kandidatët tjerë dhe rolin e tij në zhvillimet politike në vend në dy dekadat e fundit.

Kandidati i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, e filloi fjalën e tij me falënderime për anëtarët e Degës së Prishtinës për besimin e dhënë me rastin e zgjedhjes së tij për t’i përfaqësuar në garën për të parin e kryeqytetit dhe shtoi se qëllimi i futjes në këtë garë është fitorja për çka shprehu besim dhe bindje të fuqishme. Në vazhdim ai shprehu brengën për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet Prishtina por tha se për ndryshimin e gjendjes nuk duhet humbur shpresën.

“Ne jemi shpresa, sepse kemi vendosur të mos jemi njerëz pasiv; sepse kemi vendosur të mos jemi vëzhgues por të jemi qytetarë aktivë, sepse kemi vendosur të refuzojmë të dëgjojmë premtime elektorale boshe, dhe në vend të kësaj të organizohemi, të bashkohemi dhe përmes LB-së, të shndërrohemi në shërbyes të devotshëm në mënyrë që t’ia ndërrojmë pamjen qytetit tonë, vendit në të cilin ne e kalojmë çdo ditë të jetës sonë, vendit i cili ka aq shumë potencial e të cilin e kanë bërë të duket i pajetë. Ne, me punën tonë të palodhshme, të përkushtuar dhe mbi të gjitha të ndershme do t’i japim jetë shpresës!”- u shpreh ai.

Lëvizja për Bashkim në garën për kryeqytetin garon me kandidat për kryetar dhe me listë të kandidatëve për asambleistë komunal.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)