27 Dhjetor 2024

UNMIK-u përpiqet ta bëjë të pavlefshëm 10 shkurtin

Prishtinë, 3 shkurt - Halim Sylejmani, përfaqësues ligjor i familjëve të Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, bëri publike sot një letër nga UNMIK-u rreth rastit të 19 shkurtit 2007 te Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut (PKDNJ).

Halim Sylejmani ka thënë se: “Të enjten më 28 janar unë pranova përgjigjen më të fundit të UNMIK-ut drejtuar Panelit në lidhje me rastin e 10 shkurtit 2007. Në letrën e tij UNMIK-u thotë se rasti ynë nuk është i vlefshëm më te PKDNJ-ja për shkak të Udhëzimit të ri Administrativ të PSSP-së të shpallur më 17 tetor 2009. Neni 2 e bën të pavlefshëm çdo rast që është duke u shqyrtuar për dëmshpërblim në OKB dhe kërkon nga Paneli që t’i rishqyrtojë vendimet e mëparshme për pranueshmërinë. Në këtë letër PSSP-ja tregon se, sa i përket atij, PKDNJ-ja nuk ka pavarësi fare. Ai shkruan: “Nga Paneli pritet të veprojë në përputhje me UNMIK/AD/2009/1 dhe që brenda një kohe të shkurtër të përcaktohet për zbatimin e duhur të këtij vendimi.”

Sipas Sylejmanit kjo është përpjekja më e fundit e UNMIK-ut për të bllokuar rrugën tonë drejt drejtësisë. Vitin e kaluar sipas tij UNMIK-u ka ndërhyrë në mënyrë të vazhdueshme për të na penguar në mbajtjen e një dëgjimi publik. \"Përveç kësaj, ai pastaj i ka fyer familjet duke u ofruar kompensim me kusht që të heqin dorë nga e drejta e tyre për të mbajtur UNMIK-un përgjegjës. Në fund, pas dështimit për të bllokuar rastin tonë me këto metoda, PSSP-ja shfrytëzoi pushtetin e tij ekzekutiv për të shpallur një Udhëzim Administrativ, qëllimi i vetëm i të cilit është të bëjë rastin tonë të pavlefshëm\", është shprehur Sylejmani.

Ai ka thënë se UNMIK-u po bën gjithçka që është e mundur për të bllokuar përpjekjen me dinjitet të familjeve për të kërkuar drejtësi për vrasjen e bijve të tyre, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, në një demonstratë paqësore, si dhe për plagosjen e rëndë të Zenel Zenelit dhe Mustafë Nerjovajt. \"Ne nuk do të heqim dorë nga lufta jonë për drejtësi dhe nga kërkesa për një hetim penal të pavarur\", ka deklaruar në fund Sylejmani.
 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)