UNMIK-u duhet të përmbyllë mandatin e tij në Kosovë
Prishtinë, 24 gusht - Instituti Kosovar i Paqes (KIP) njoftoj publikimin e një studimi të shkurtër mbi rolin e UNMIK-ut në Kosovë pas viti 2008.
Kjo analizë e shkurtër analizon se si UNMIK-u ka humbur autoritetin e tij faktik në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2008, dhe se si ai përpiqet të zgjasë misionin e tij, pavarësisht kundërshtimit brenda vendit dhe mandatit të pajustifikuar dhe të diskutueshëm.
Mospajtimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, të propozuar nga Ahtisaari, e kishte lënë UNMIK-un në një pozicion të papërshtatshëm, ku i ishte dashur të merrte një qëndrim të neutralitetit ndaj statusit dhe hap pas hapi (në mënyrë inkrementale) të rikonfiguronte praninë e tij në Kosovë.
Ky qëndrim ndaj pavarësisë së Kosovës ka rrënuar autoritetin dhe legjitimitetin e UNMIK-ut në Kosovë, duke ia hequr kështu përgjegjësinë nga të gjitha përpjekjet e tij paraprake për ndërtimin e paqes dhe institucioneve shtetërore në Kosovë. Ishte gjithashtu kundër frymës së zotimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që strategjia dalëse për UNMIK-un të ishte përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës, proces ky që ishte zhvilluar në vitin 2008.
I gjendur në këto rrethana, UNMIK-u kishte përvetësuar një diskurs mbrojtës dhe të justifikimit të vetes, gjë që rrjedhimisht kishte ndikuar negativisht në zbatimin e Planit të Ahtisaarit në veri të Kosovës.
Kjo gjithashtu kishte fuqizuar strukturat paralele serbe në Kosovë; kishte penguar pjesëmarrjen rajonale të Kosovës dhe bashkëpunimin e saj me jashtë; dhe kishte krijuar marrëdhënie armiqësore me autoritetet në vend dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të pranishme në Kosovë.
Në këtë analizë argumentohet se duke ruajtur një qëndrim neutral ndaj statusit në raport me shtetësinë e Kosovës UNMIK-u ka reduktuar në mënyrë drastike ndikimin e tij në Kosovë dhe ka margjinalizuar kapacitetet e tij për të kontribuar në përpjekjet për ndërtimin e paqes në Kosovë. Kështu, transformimi i pranisë së OKB-së në Kosovë do të jetë i dobishëm në nivele të shumëfishta.
Në këtë analizë rekomandohet se UNMIK-u duhet të përmbyllë mandatin e tij sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të kontribuojë në proceset në Kosovë, të ruajë kredibilitetin e OKB-së dhe të zvogëlojë shpenzimet e panevojshme financiare të cilat do të mund të përdoren nga agjencitë e OKB-së në Kosovë për projekte më të rëndësishme të zhvillimit socio-ekonomik ose në situata të tjera të krizës.