19 Janar 2025

UNHCR kërkon gjetjen e zgjidhjeve për personat e zhvendosur

Prishtinë, 12 mars - Më 11 dhe 12 mars, Drejtori i Zyrës për Evropë, Vincent Cochetel, nga zyra e Komisionerit të Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), vizitoi Kosovën dhe u bëri thirrje autoriteteve të shtojnë përpjekjet për të lehtësuar kthimin vullnetar, e të mbështesin ri-integrimin e plotë e të të kthyerve dhe të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për ata që janë ende të zhvendosur brenda Kosovës dhe në regjion.

"Është koha që pas 15 vjetësh zhvendosja të marrë fund. Autoritetet e Kosovës duhet të jetë me përgjegjësi të plotë ndaj procesit të kthimit vullnetar dhe ri-integrimit. Ato, me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar kanë nevojë të rrisin përpjekjet e tyre për zbatimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për të kthyerit dhe për personat e zhvendosur", tha pas takimit me Drejtorin për Evropë të UNHCR-së, zëvendësministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Husnija Beskovic.

Cochetel, theksoi faktin se është përgjegjësi e autoriteteve të Kosovës, duke përfshirë edhe kryetarët e ri të zgjedhur të komunave, për të siguruar kthimin e sigurtë dhe për të ndihmuar të kthyerit në kthimin e pronave dhe të posedimeve të tyre. Ai, u ndal veçanërisht në pengesat kryesore të kthimit vullnetar:

"Sot, vështirësitë kryesore që pengojnë procesin e kthimit janë: mungesa e ndarjes së tokës dhe pengesat e tjera burokratike, që veçanërisht prekin komunitetet rom, ashkali e egjiptian, të cilët janë kryesisht pa pronë, dhe dhe që vuajnë nga kushtet alarmante dhe të papranueshme të jetesës. Në shumë raste, ata jetojnë në vendbanime joformale. Pengesë tjetër është ndihma e kufizuar për ri-integrim dhe mungesa e fondeve për ndërtim të shtëpive". Cochetel, theksoi se, "autoritetet e Kosovës, përkatësisht kryetarët e komunave, duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të ndarë troje për ata që duan të realizojnë të drejtën e tyre për t'u kthyer".

Cochetel, gjithashtu përgëzoi hapat pozitiv të ndërmarrë nga institucionet e Kosovës. Në veçanti, ai vlerësoi angazhimin që çoi në miratimin e Strategjisë për Komunitetet dhe Kthimin 2014-2018, dhe adresimin nga Ministria, të boshllëkut legjislativ për zhvendosjen e brendshme përmes krijimit të legjislacionit të duhur.

Cochetel u takua edhe me ministren e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, duke ndarë shqetësimet e përbashkëta për implementimin e Strategjisë për Integrim dhe të Planit të Veprimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Gjatë takimit të tij me ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ai veçoi në aspekt pozitiv hartimin e Ligjit të ri për azilin dhe angazhimin në zhvillimin e mekanizmave të ndjeshëm mbrojtës për të lehtësuar qasjen në azil për individët të cilët mund të jenë në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

Gjatë vizitës dy-ditore të Drejtorit për Evropë të UNHCR-së, ai u takua edhe me autoritetet e institucioneve të Kosovës, me përfaqësues nga OSBE dhe të agjencive të tjera të OKB-së. Ai, gjithashtu vizitoi vende të ndryshme të zhvendosjes dhe u takua me refugjatët, personat e zhvendosur dhe të kthyerit.

Që nga viti 2000, mbi 25,000 të zhvendosur minoritarë janë kthyer vullnetarisht në Kosovë. UNHCR-ja konsideron se ka mbi 17,000 individë ende të zhvendosur në Kosovë, nga të cilët mbi 600 janë duke jetuar në qendra kolektive.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)