UNESCO: Gjithnjë e më shumë gazetarë të vrarë
Paris, 25 mars - Numri i gazetarëve të vrarë është në rritje, sipas një raporti të UNESCO-s që është publikuar sot (e enjte). Shumë nga viktimat, thekson raporti, janë qëlluar në vende që nuk gjenden në luftë, por ku hulumtimi për informacione sensitive mbi trafikun e drogës, dhunimin e të drejtave të njeriut apo korrupsionin mund të rrezikojë jetën.
Nga 28 vendet ku kanë ngjarë vrasjet e profesionistëve mediatikë në vitet 2006-2007, të cilat UNESCO i ka kërkuar të japin informacion në lidhje me situatën e hetimeve gjyqësore, vetëm 15 prej tyre janë përgjigjur me raporte të hollësishme.
Raporti me titullin Siguria e gazetarëve dhe rreziku i mosndëshkimit do të publikohet me rastin e takimit të Këshillit Ndërqeveritar të Programit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Komunikimit (IPDC) pranë UNESCO-s (në datat 24 deri 26 mars). Si një vazhdimësi e raportit të mëhershëm të botuar në vitin 2008, ky raport thekson se mungesa e kërcënimit është thelbësore për të mbrojtur të drejtën e të gjithë qytetarëve për informacion të besueshëm dhe të drejtën e gazetarëve për ta dhënë këtë informacion pa u ndjerë të kërcënuar.
Në vitet 2008-2009 UNESCO dënoi vrasjen e 125 gazetarëve, një shifër e përafërt me atë të periudhës së mëparshme 2006-2007, kur Organizata raportoi 122 vrasje. Së paku 80% e këtyre vrasjeve vijnë për shkak të sulmeve që i shënjestrojnë me qëllim viktimat e tyre, siç thekson raporti: në veçanti janë kryer sulme prej atyre që nuk dëshirojnë që gazetarët të hulumtojnë dhe të nxjerrin informacione në interes të publikut të gjerë.
Sidoqoftë, kur të dhënat analizohen në baza vjetore, viti i shkuar ka arritur një shifër të lartë rekord prej 77 vrasjesh të raportuara nga UNESCO për vitin 2009, që e kalojnë shifrën më të lartë të mëparshme në vitin 2006 (69 vrasje), një periudhë kur dhe dhuna në Irak ishte shumë e lartë. Për më tepër që dhe pakësimi i vrasjeve të regjistruara në 2007 (53 vrasje të raportuara) dhe në 2008 (48), vinin më shumë për shkak të përmirësimit të situatës në Irak.
Sa i përket kësaj shifre të lartë të vitit 2009, pjesërisht ajo mund të shpjegohet me vrasjen e pothuaj 30 gazetarëve në një ditë të vetme në një pritë në Filipine në 23 nëntor 2009. Kjo ngjarje e jashtëzakonshme e ka vënë këtë vend në krye të listës, me 37 vrasje që kanë pasur në shënjestër gazetarët, më lart se Iraku, ku numri i viktimave ka rënë nga 62 në 15, respektivisht në periudhat 2006-2007 dhe 2008-2009.
Një zhvillim tjetër i rëndësishëm, siç përcaktohet në raport, është se përqindja e vrasjeve që nuk kanë lidhje me situata konflikti është rritur në mënyrë të konsiderueshme krahasuar me vitet 2006-2007. Shumica dërmuese e viktimave nuk ishin korrespondentë të huaj lufte, por gazetarë vendas që zakonisht punonin mbi çështje të interesit vendor në vende jo në gjendje lufte. Në shumicën e rasteve (95%), viktimat ishin meshkuj.
Raporti i vitit 2010 shënon se për fat të keq, frekuenca e akteve të dhunës ndaj gazetarëve po rritet. Në shumicën e rasteve, mungesa e ndëshkimit pengon drejtësinë që të zbatohet, dhe nëse kjo tendencë do të vazhdojë, gazetarët do të mbeten shënjestra të lehta për tu arritur. Nuk ka nevojë të shtojmë se kjo dukuri përfaqëson një kërcënim të madh për lirinë e shprehjes dhe për aftësitë tona për të arritur drejt së vërtetës
Në sesionin e tij të 27-të, Këshilli Ndërqeveritar i IPDC do të shqyrtojë një projekt vendim që rekomandon IPDC të vazhdojë monitorimin e situatës së hetimit dhe gjykimit për vrasjet e gazetarëve të dënuara nga Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s. Po ashtu, ftohet që Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s të propozojë mbajtjen e një minute heshtjeje në të gjitha dhomat e lajmeve në redaksitë e mbarë botës në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit (3 Maj) për të nderuar gazetarët që vriten çdo vit.
Që nga viti 1997, Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s ka ndërmarrë në mënyrë sistematike denoncimin e çdo sulmi fizik ndaj gazetarëve, në përputhje me Rezolutën 29 të miratuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO- në sesionin e 29-të të saj. Kjo Rezolutë u kërkon qeverive të zbatojnë parimin se nuk mund të ketë lehtësi për krimet kundër personit, në rastet kur këto krime realizohen me qëllim që të ndalojnë lirinë e të shprehurit dhe të drejtën që kanë njerëzit për të marrë informacion. Po ashtu, Rezoluta nxit autoritetet kompetente që të përmbushin detyrën e tyre për parandalimin, hetimin dhe ndëshkimin e krimeve të tilla, si dhe të kompensojnë pasojat.
Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Irina Bokova, thekson se vetëm vullneti politik i Shteteve për të nxjerrë para drejtësisë vrasësit e gazetarëve duke i dhënë fund kështu mosndëshkimit do të jetë mbrojtja më e mirë për profesionistët e medieve.