UNDP sot lanson raportin mozaiku i Kosovës 2012
Prishtinë, 10 dhejtor - Mozaiku i Kosovës 2012, i katërti me radhë në serinë e raporteve që masin perceptimet e qytetarëve mbi problemet dhe sfidat në komunat etyre si dhe kënaqshmëria me shërbimet publike dhe autoritetet locale do të lansohet sot në Prishtinë.
Raporti ndan mendimet e 6,704 kosovarëve nga 37 komuna, për opinionin e tyre mbi aspektet vitale të kushteve të jetesës. Ai prezanton analizë të trendeve në nivelin e kënaqshmërisë me 26 shërbime të ndryshme publike.
Rezultatet tregojnë se në krahasim me vitin 2009, mesatarja e nivelit të kënaqshmërisë me të gjitha shërbimet publike ka shënuar rënie të vogël. Më pastaj, raporti prezanton kënaqshmërinë me shërbimet publike për secilën komunë në Kosovë veç e veç.
Mozaiku i Kosovës 2012 është i katërti me radhë në vargun e raporteve që vlerësojnë perceptimin e qytetarëve lidhur me problemet dhe sfidat në komunat e tyre si dhe kënaqësinë e tyre me autoritetet lokale dhe shërbimet publike. Raporti ndan mendimet e 6,704 kosovarëve nga 37 komuna, për opinionin e tyre mbi aspektet vitale të kushteve të jetesës.
· Analiza e Indekseve të kënaqshmërisë sipas gjinisë tregon se femrat janë më të kënaqura me shumicën e mallërave dhe shërbimeve publike në krahasim me meshkujt.
· Sipas të dhënave KMS 2012, 60% e familjeve të Kosovës kanë qasje në burime të sigurta të ujit të pijshëm pasi që janë të lidhura me ujësjellësin publik. 57% e kosovarëve janë të kënaqur me furnizimin me ujë në komunën e tyre, ndërsa 59% janë të kënaqur me menaxhimin e ujërave të zeza dhe kanalizimit.
· Dy problemet më të mëdha me qasjen në shërbime shëndetësore perceptohen të jenë kostoja e blerjes së barnave (nga 85% e të anketuarve) dhe kostoja e vizitës mjekësore (nga 58% e të anketuarve).
· Kosovarët janë kryesisht të kënaqur me arsimin fillor në krahasim me nivelet e tjera të shkollimit, si në aspekt të qasjes (78%) ashtu edhe në atë të cilësisë së arsimit (75%).
· Rreth 70% e kosovarëve konsiderojnë qytetin e tyre të pastër ose shumë të pastër, kurse 72% konsiderojnë lagjen e tyre të pastër ose shumë të pastër.
· Rreth 18% e kosovarëve kanë deklaruar se kanë probleme me cilësinë e ajrit në komunën e tyre.
· 79% e të anketuarve e vlerësojnë gjendjen e rrugëve në qytetin e tyre si të mirë ose shumë të mirë. Në anën tjetër, vetëm 49% prej tyre kanë deklaruar se janë të kënaqur me shenjëzimin dhe
tabelat e rrugëve. Përderisa më pak se gjysma e tyre janë të kënaqur me trotuaret, 56% e kosovarëve janë të kënaqur me ndriçimin publik në komunën e tyre.
· Të dhënat KMS 2012 tregojnë se shumica e kosovarëve janë shumë pozitivë ose disi pozitivë për efikasitetin e institucioneve që japin letër njoftime, pasaporta, çertifikata të martesës, lindjes dhe vdekjes, dokumente të regjistrimit të veturave, dhe patenta të shoferit. Megjithatë, vetëm 50% e tyre mendojnë se dhënia e kartelave për Ndihmë Sociale është efikase, kurse dhënia e lejeve të ndërtimit dhe liçencave të biznesit janë konsideruar si efikase nga vetëm 41% e kosovarëve.
· Shumica e të anketuarve (69%) deklaruan se janë të kënaqur ose shumë të kënaqur me punën e Kryetarit të Komunës së tyre. Një përqindje pak më e vogël (64%) pohuan se janë të kënaqur me punën e Administratës Komunale, kurse 63% u përgjigjën se janë të kënaqur ose shumë të kënaqur me punën e Këshillit Komunal.
· Të pyetur për problemin më të rëndësishëm me të cilin përballet komuna e tyre, 58% e të anketuarve zgjodhën papunësinë; furnizimi i dobët me energji elektrike u zgjodh nga 7% e të anketuarve; pasuar nga furnizimi i dobët me ujë i cili u zgjodh si problemi më i madh nga 6% e të anketuarve; dhe varfëria dhe standardi i ulët i jetesës, i cili është perceptuar si problemi më i madh në komunën e tyre nga 5% e kosovarëve.
· 65% e kosovarëve besojnë se problemet në komunën e tyre mund të zgjidhen nga autoritetet lokale.
· Të dhënat KMS 2012 tregojnë se një numër më i vogël i familjeve janë të kënaqur me gjendjen e tyre aktuale financiare në krahasim me vitin 2009. Rezultatet kanë treguar se vetëm banorët e 9 komunave konsiderojnë gjendjen e tyre financiare si pozitive. Kjo është një rënie e madhe në krahasim me rezultatet e vitit 2009 kur banorët e 21 komunave kanë pasur vlerësim mesatarisht pozitiv për gjendjen e tyre financiare.
· Njëzet përqind e familjeve në Kosovë kanë problem për ta përballuar një vakt me mish një herë në javë, 42% nuk mund t i përballojnë kostot e shërbimeve komunale siç janë rryma, uji, dhe telefoni, 34% nuk mund t i përballojnë kostot e trajtimit të gripit ose ndonjë sëmundjeje tjetër të vogël, 49% nuk mund të blejnë veshëmbathje sa herë u nevojiten, 71% nuk mund të shkojnë në restoran me familjen as një herë në muaj, 37% kanë deklaruar se do të kishin problem të ftojnë familjen ose miqtë një herë në muaj, ndërsa 76% nuk mund të paguajnë shpenzimet e një pushimi një javësh larg shtëpisë së bashku me familjen e tyre një herë në vit.
· Vetëm 29% e familjeve kanë deklaruar se nuk posedojnë fare tokë, ndërsa 14% kanë deklaruar se posedojnë biznes.